Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti kërkoi nga të gjitha palët politike që të vijojnë bashkëpunimin për të mirën e Shqipërisë.
Duke komentuar arritjen e marrëveshjes me opozitën për reformën zgjedhore, Shameti tha për “FaxNews” se tani është momenti që palët të mos ndahen më me qëllim që Shqipëria të marrë një “Po” për hapjen e negociatave. Ai theksoi se zgjedhjet e radhës do të mbahen në vitin 2021.
“Nuk është koha që të marrim meritat apo të themi kush fitoi apo kush humbi. Nga ajo marrëveshje fituan shqiptarët. Në 2017 shqiptarët i besuan kryeministrit Edi Rama drejtimin e vendit. Këtë drejtim ne do ta mbajmë deri në qershor të 2021 kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme.
Ne kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë, kemi zbatuar Kushtetutën. Qeveria socialiste ka bërë më të mirat. Do të doja shumë që përmes tryezës palët të jenë gjithmonë bashkë, të bëhen bashkë për të mirën e Shqipërisë me qëllim që në Samitin e Zagrebit të marrim dritën jeshile për hapjen e negociatave bashkë me Maqedoninë e Veriut.
Ftesa e kryeministrit Rama ka qenë e përsëritur më shumë se një herë. Nuk ka patur asnjë kusht. E rëndësishme është që kemi një produkt të tillë, të tjerat më pas nuk kanë shumë rëndësi. Është e rëndësishmne që palët janë ulur në tryezë dhe do të analizojmë me vëmendje çdo çështje” u shpreh Adnor Shameti.
Ai foli edhe për kërkesën e opozitës parlamentare për ndryshim të sistemit zgjedhor. Shameti deklaroi se mazhoranca është e hapur për ta diskutuar diçka të tillë, por nënvizoi se ndërkombëtarët nuk e kanë vënë një kusht të tillë.
“Në asjë rast ndërkombëtarët nuk kanë rekomanduar ndryshim të sistemit zgjedhor. Por sot ne zyrtarisht kemi një kërkesë nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare që e kanë paraqitur si kërkesë dhe do të trajtohet në komisionin e reformës zgjedhore.
Nuk ka një sistem të paracaktuar që të thuash që ky është i mirë. Ne jemi të hapur të diskutojmë të gjitha çështjet që të bëjmë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ne në tavolinë do të shikojmë dhe do të bëjmë balancën e të gjithë elementëve” deklaroi Adnor Shameti.