Dosja.al mëson detaje të reja për operacionin “Abuzuesit” i finalizuar mbrëmë në Durrës, ku u prangosën 17 zyrtarë të policisë dhe të pushtetit vendor. Mësohet se dyshimi kryesor për këtë grup ka ardhur pas një informacioni që ka dalë nga Lezha, në muajin shtator 2019, se në Durrës është favorizuar një grup për ndërtime pa leje. Denoncimi është dorëzuar në Komisariatin Dixhital, ku sipas personit anonimë, ishte grupi i arrestuar, që i bënin foto të objekteve, më pas i tjetërsonin dhe fshinin gjurmët. Sipas dosjes, policët lejuan ndërtimet pa leje për një pagesë që varionte nga 1500 deri në 7 mijë euro. Ata madje mësonin edhe ndërtuesit, duke iu thënë se gjatë kontrolleve, do të thonin, se godinat e ndërtuara ishin të vjetra.
Ndërsa, në qershor të 2019, gjatë fushatës elektorale, ka nisur verifikimi në terren, për disa objekte që ishin në themel ndërsa sot, kanë arritur në 4 kate. Sipas grupit hetimor, specialisti i zonës, madje kishte marrë informacion, duke këshilluar ndërtuesin të pezullojë aktivitetin, pasi një qytetar e kishte denoncuar tek Komisariati Dixhital.
Për dy denoncime të ardhura në fshatin Jubë, punonjësit e policisë kanë raportuar se nuk kishte shkelje dhe se denoncimet kanë qenë të rreme, dhe në vend të fotove të fshatit Jubë, kanë përdorur ato të fshatit Rrushkull. Shpërdorimi i detyrës nga ana e policëve ka vijuar edhe me lejimin e prerjes së paligjshme të pyjeve.
Operacioni i koduar “Abuzuesit” u finalizua mbrëmë në Durrës, pas hetimit tri mujor nga ana e SHCBA dhe Prokurorisë së Durrësit. 10 policë të prangosur, 2 inspektorë të IMT-së, dhe 5 biznesmenë janë arrestuar, ndërsa 1 person është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra.