Pas shqiptaro- maqedonasit Mevlan Adili, blerja e dytë e Vllaznisë mund të jetë ajo e sulmuesit të kombëtares së Moldavisë Eugen Sidorenko.

Me këtë lojtar bisedimet kanë avancuar dhe në ditët në vijim pritet që ai të mbërrijë në Shkodër dhe të hedhë firmë në kontratë me Vllazninë. Në këtë mënyrë, tek Vllaznia dalëngadalë skuadra e gjysmës së dytë të sezonit ka nisur të marrë formë.

E rëndësishme është që të hidhet edhe firma e Sidorenkos dhe tashmë të presim edhe për dy blerjet e tjera. Ndërkohë, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se po vijon puna edhe për mbylljen e kontratave me disa prej lojtarëve që nuk do jenë më pjesë e skuadrës për gjysmën e dytë të sezonit.

Për momentin ende nuk jepen emrat e atyre që do të largohen, por trajneri Jonuz ka paralajmëruar plot 6 largime nga skuadra. Katër prej tyre duket se do të jenë të huajt që janë aktualisht pjesë e kuqebluve dhe dy të tjerë shqiptarë.

Gjithsesi deri të mërkurën, ditë kur ekipi do të niset drejt Ohrit për stërvitje, mund të ketë më shumë zhvillime në këtë drejtim dhe do të mësohen më shumë gjëra në lidhje me merkaton e kuqebluve.

/shkodrasport.com/