Media e njohur britanike The Sun shkruan një artikull për të miturit shqiptarë që trafikohen drejt Britanisë, e sipas këtij tabloidi, ata nisen drejt Anglisë të detyruar nën skllavëri, kurse shtojnë se më tej të trafikuarit përdoren në trafik kokaine e në aktivitete të tjera ilegale.
Kjo media shprehet se Samet Mata është 18 vjeç dhe se jeta e tij e shkurtër ka qenë më traumatike nga se mendohet. Ai arriti në Britani në moshën 15 vjeç, kurse tashmë po përballet me dëbimin, ndërsa në emigrim ai punoi punë nga më të ndryshmet, në tërësi skllavëruese. Jeta e tij ndryshoi disi kur ai u strehua në një familje britanike dhe ishte larg banditëve e kontrabandistëve.
Në mënyrë të ngjashme, Klevis Drazhi, 20 vjeç, u kap me 11 mbështjellëse kokaine në Londër dhe u burgos për 18 muaj, duke pretenduar se ai ishte detyruar të merrej me drogë nga një anëtar i mafies së Shqipërisë, pasi hyri në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni.
Alfred Hamzaj, 22 vjeç, u burgos për tetë muaj pasi u kap me 4 kilogramë kanabis. Ai tha se ishte marrë me aktivitet kriminal, pasi kishte humbur punën në një lavazho, ku kishte punuar prej për pak kohë. Mirëpo, atë punë e kishte humbur, për shkak se ishte i paligjshme në Britani. Ka një rritje të madhe të të rinjve shqiptarë që dërgohen në Britani në mënyrë të paligjshme, ndërsa atje përdoren nga bandat. Më së shumti ata detyrohen të merren me trafik kokaine.
Psikologë britanikë shprehen se familja shqiptare është në krizë, gruaja në familjet e Shqipërisë pëson dhunë nga bashkëshorti, ndërsa numri i lartë i të rinjve shqiptarë që hyjnë në rrugën e krimit lidhet me faktin se ata kur arrijnë një moshë pune, nisen drejt Britanisë së Madhe për të ardhme të mirë. Të dhënat e autoriteteve vendase flasin për rritje të kriminalitetit shqiptar në Londër e mbarë Mbretërinë e Bashkuar.
Specialisti ndërkombëtar i zbatimit të ligjit Steve Harvey thotë se shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë trafikohen me shoqërimin e prindërve të tyre dhe premtimin për të fituar shuma të mëdha parash nga trafikantët. “Trafikantët dhe shfrytëzuesit u premtojnë atyre para, shumë para, dhe ata u premtojnë atyre një punë ose kur djemtë janë të mitur, ata u premtojnë atyre strehim, ose rroba, ose çfarë atyre ju nevojitet” thotë një burim për gazetën. Në disa raste, anëtarët e familjes janë drejtpërdrejt përgjegjës për rekrutimin dhe shfrytëzimin e viktimave të trafikimit.
Mijëra shqiptarë arritën në Mbretërinë e Bashkuar në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, ndërsa shumë prej tyre pretendojnë se janë kosovarë.