Stiven Shala është një prej dy delegatëve të parë që përfaqëson rininë shqiptare në OKB. Ai e ka nisur pjesëmarrjen si aktivist shumë herët, në vendlindjen e tij në Shkodër dhe ende është në dilemë sa i takon zgjedhjeve të së ardhmes, ku si alternativë sheh fushën e mjekësisë, për të cilën po kryen studimet, por dhe diplomacinë, vizion që lindi pas angazhimeve të tij të fundit në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Qëllimi i momentit i Stivenit është të lobojë në emër të kauzave të të rinjve shqiptarë në rang lokal dhe ndërkombëtar.
“Gjatë mandatit 1-vjeçar si delegatë ne bëjmë takime të shumta me të rinjtë gjimnazistë, studentë apo edhe me të rinjtë të cilët kanë dalë nga niveli arsimor. Mundohemi të angazhohemi dhe të përfshijmë sa më tepër të rinj në takimet tona. Sidomos për të marrë inputet, shqetësimet dhe nevojat e tyre më të mëdha dhe për t’i adresuar sa më mirë. Ne e bëmë këtë përpara Asamblesë të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të marrë pikërisht këto inpute dhe më pas për të advokuar për rininë shqiptare në një nivel më të lartë, në një nivel global, por edhe për të advokuar në një nivel lokal në Shqipëri”, shprehet Stiven.
Momenti më i rëndësishëm për të gjatë angazhimit si aktivist i çështjeve të të rinjve ka qenë pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Aty Stiveni kërkoi mbi të gjitha shtim të hapësirës për vendimmarrje nga ana e të rinjve dhe një vend për ta në tavolinat e rrumbullakëta.
“Fatkeqësisht më duhet të them se hapësira që i jepet të rinve në procesin vendimmarrës është shumë e pakët, pasi sic e shohim çdo ditë nuk kemi një përfshirje të qëndrueshme të rinisë në proceset e vendimmarrjes. Kjo nis që në universitet dhe vazhdon më pas deri te institucionet e nivelit më të lartë. Është shumë me interes të shihet rinia se si përfshihet në proceset vendimmarrëse. Pasi nuk duhet të harrojmë se pasioni dhe interesi i rinisë është shumë i madh për të shtyrë përpara kauza shumë të mëdha, sic po shohim edhe sot në lëvizjet globale psh në rastin e klimës me Greta Thunberg që po udhëheq miliona e miliona të rinj që po kërkojnë veprim ndaj ndryshimeve klimatike”, shprehet 20-vjeçari.
Çështjen globale të ndryshimit të klimës 20-vjeçari e sheh si një kauzë që duhet trajtuar edhe lokalisht. Po për të angazhimi kryesor është ai i ngritjes dhe zgjidhjes së çështjeve që lidhen me rininë shqiptare. Prej takimeve të shumta që po zhvillon në çdo qytet së bashku me aktivistë të tjerë, ai evidenton dy problematika kryesore.
“Së pari duhet të them se të gjithë institucionet duhet të jenë më afër të rinjve. Të marrin parasysh problematikat si dhe nevojat e rinisë shqiptare. Më besoni që të rinjtë mund të ofrojnë zgjidhje shumë të mira dhe këtë ne e kemi hasur dhe në takimet që kemi zhvilluar me të rinj shqiptar në të gjithë vendin. Më duhet ta them se dy janë problematikat kryesore që ne kemi nxjerrë nëpër takime. E para është edukimi cilësor dhe e dyta papunësia”, u shpreh ai.
Stiven i sugjeron aktivistët e rinj që të përfshihen fillimisht në komunitetin e tyre lokal për të nisur më pas angazhimin në projekte me ndikim global.