Prokurorja e Shkodrës Marjana Shtjefni ka vendosur të vetëlargohet nga sistemi i drejtësisë, duke paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili e ka shqyrtuar kërkesën në mbledhjen e fundit.
Këshilli ka vendosur me shumicë votash mbarimin e statusit të magjistrales për prokuroren Shtjefni, pas kërkesës së saj që mban datën 19 dhjetor.
Ndryshe nga disa magjistratë të tjerë, prokurorja Shtjefni nuk figuron në asnjë prej listave me prokurorë dhe gjyqtarë të përzgjedhur me anë të shortit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi për tju nënshtruar Vetingut.
Shtjefni ka ushtruar funksionin e prokurores nga viti 2002 deri në vitin 2017, kur ka marrë një leje prindërore dyvjeçare. Zonja është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në vitin 2017, për të kuruar vajzën e saj. Ndërkaq, sa i takon pasurisë, prokurorja ka hyrë në sistemin e drejtësisë pa asnjë pasuri të paluajtshme.
Në deklaratën e parë të pasurisë në vitin 2003 deri në vitin 2009, zonja Shtjefni deklaron vetëm pagën. Në vitin 2010 dhe vitin 2014 deklaron blerjen e dy apartamenteve me vlerë totale prej 86 mijë eurosh, me të ardhurat e ardhurat e bashkëshortit nga puna në SHBA, i cili më parë ka punuar në ish-Komunën Bushat.