445 kapsolla janë sekuestruar gjatë një kontrolli policor në Pogradec e në Kuçovë. Si pasojë e posedimit të këtyre mjeteve piroteknike janë vënë nën hetim 4 persona ndërsa 3 të tjerë janë gjobitur.
Kontrollet e policisë kanë ardhur në zbatim të urdhrit ‘Për ndalimin e hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve dhe përdorimin civil, që rrezikojnë sigurinë publike”
Sipas policisë gjatë javës që kaloi, në të gjithë vendin janë sekuestruar rreth 8500 kapsolla e 200 fishekzjarrë, ndërsa janë kontrolluar 4345 biznese.
Si rezultat i kontrolleve në qarqet Dibër, Tiranë, Gjirokastër, Korçë e Berat, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 8500 kapsolla dhe 200 fishekzjarrë. Në lidhje me këto raste janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe 3 të tjerë janë ndëshkuar me masë administrative nga shërbimi zjarrfikës.
Me qëllim që nata e ndërrimit të viteve të kalojë pa probleme për sa i përket lëndëve piroteknike, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të tregtimit apo përdorimit të kapsollave, fishekzjarrëve dhe çdo rast të paligjshmërisë.