Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar rreth përgjimeve të publikuara për shit blerje vote mes moderatores Dajana Shabani dhe Hermes Nikaj, i quajtur ndryshe Zogu i Tiranës, Bardhi shkruan se në cdo përgjim të ligjshëm kur hetohet krimi i organizuar apo prostitucioni blerja e votës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj është e kudogjendur.
Në çdo përgjim të ligjshëm të prokurorisë, kur heton krimin e organizuar apo kur heton një rrjet prostitucioni, blerja e votës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj është e kudogjendur. Edhe kur vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron.
Përgjimi i një grupi të akuzuar për rrjet prostitucioni në Tiranë zbulon se për të nxitur qytetarët të votojnë, veçanërisht në Tiranë, janë paguar 20 mijë lekë. Është akoma më e dënueshme, kur në këtë pazar kriminal përfshihet një prezantuese televizive.
Sa kohë Edi Rama të jetë në krye të qeverisë, blerja e votave do vazhdojë. Ai ka bllokuar nëpërmjet prokurorisë së kontrolluar prej tij, hetimin dhe ndëshkimin për dosjet 339 dhe 184, pikërisht si garanci se askush që ble e vjedh vota nuk do të ndëshkohet.
Për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit SPAK dosja e re për blerjen e votës në Tiranë në votimet moniste të 30 Qershorit, është një test për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit elektoral!
Dosje si kjo e Tiranës, apo famëkeqet 339 dhe 184 janë prova të pakundërshtueshme se largimi i blerësit dhe dhunuesit të votës të lirë, Edi Rama, si dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e te ndershme, është nevojë urgjente për Shqipërinë