20 deri në 50 lekë janë rritur çmimet për produktet ushqimore, kryesisht tek frutat dhe perimet. Kjo luhatje e çmimeve ndikon drejtpërsëdrejti në xhepin e konsumatorit. Ndërkohë rritja më e madhe e çmimit vërehet tek gjeli i detit. Qytetarët thonë se kjo rritje e çmimeve nuk është e përballueshme.
“Këtu tek Pazari i Ri janë pak të shtrenjta. Po më shumë rritje janë produktet e mishit, gjelin e detit e kanë rritur, ka qenë 8 mijë lekë kg e gjelit, këto kanë bërë 9 mijë lekë pulën.
Çmimet lëre mos e pyet më.
Disa i kanë rritur disa i kanë lënë aty ku janë, por kryesisht tendenca është në rritje. Të papërballueshme s’ka se si të pranosh dhe të thuash se janë të përballueshme aq më keq tek pensionistët. Ne kishim një bisedë me njërin për të marrë një pulë deti dhe ai kërkon ta jap 10 mijë lekë kg. Kushton jashtë mundësive që kemi ne për ta blerë.
Po ku janë të përballueshme çmimet sot, se janë më shumë pa punë se në punë njerëzit” – shprehen qytetarët.
Por ky vit sipas tregtarëve nuk ka qenë pozitiv as për ata, pasi ka pasur një rënie të konsumit dhe për pasojë kanë pasur më pak shitje. Goditjen më të madhe ata shprehen se e kanë marrë gjatë ditëve të tërmetit të 26 nëntorit.
“Pothuajse gjatë gjithë vitit kanë qenë të ulëta po tani kanë rënë edhe më shumë.
Njerëzit s’kanë lekë dhe t’ju thuash merre pa lek dhe ashtu nuk e marrin.
Po gjelin e detit do e merrni këtë vit?
Mund të marr një pulë të zakonshme sa për të thënë.
S’kam lek, nuk kam lekë” thonë disa të tjerë.
Produkte të tilla si arra apo edhe bajamet kanë pasur edhe luhatjen më të ndjeshme në çmime, duke u shtrenjtuar me 200-400 lekë për kilogramë.