Fillimi i 2020-ës me shumë mundësi do të nisë me pikëpyetje përsa i takon përbërjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për shkak se KED ka mandat një vjecar të cilin e merr në datën 1 janar dhe e dorëzon ditën e fundit të muajit dhjetor të të njëjtit vit, diskutimet do të fokusohen pikërisht tek emri i Arta Marku, e zgjedhur gjatë shortit të hedhur në presidencë si prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Por pasi ish-prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme humbi gjatë garës për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës jo vetëm në KLP, por edhe në parlament ku edhe mori vetëm 11 vota, duket se 43-vjeçarja do të përballet sërisht me ish-shokun e klasës, Olsjan Çelën. Sikurse thonë burime të sigurta të gazetës “Si”, përballja dhe përplasja mes dy magjistratëve duhet të ndodhë për shkak të ligjit për funksionimin e KED.
Konkretisht ligji kërkon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të ketë nëntë anëtarë, që përfaësojnë të gjitha shkallët e prokurorisë dhe të gjykatës. Dy gjyqtarë, shpjegon një jurist kushtetues, duhet të jenë nga Gjykata Kushtetuese dhe sipas shortit të datës pesë dhjetor për të përfaqësuar Gjykatën Kushtetuese u zgjodhën Vitore Tusha dhe Fjona Papajorgji. Gjykatën e Lartë e përfaqëson edhe për këtë vit gjyqtari Ardian Dvorani që mes polemikave si gjyqtar i vetëm në gjykatën supreme mban për shkak të pozicionit edhe funksionin e drejtuesit të KED.
Më tej përfaqësojnë prokuroritë e Apelit Fatjona Memçaj dhe Ludovik Dodaj dhe Gjykatat e Apelit, Saida Dollani dhe Miranda Andoni, ndërsa Gjykatat Administrative përfaqësohen nga gjyqtari Arjan Qafa. Por në përbërjen e KED si përfaqësuese e prokurorisë së përgjithshme vazhdon të jetë Arta Marku, edhe pse realisht ajo nuk figuron as prokurore e thjeshtë në organin qëndror të akuzës.
Në vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arta Marku u votua unanimisht për t’u caktuar si prokurore apeli në kryeqytet, një verdikt i cili hyn në fuqi në datën 1 janar 2020 çka do të thotë se Prokuroria e Përgjithshme është e papërfaqësuar në KED, në rast se vetë ish-prokurorja e Përgjithshme nuk jep dorëheqjen nga antarësia në KED.
Nuk dihet ende nëse kjo situatë do të shkaktojë një përplasje tjetër mes dy shokëve, të cilët në fund të garës ja dhanë dorën njëri-tjetrit, teksa njëri mori timonin e akuzës për shtatë vitet e ardhshme dhe tjetri doli në këmbë dhe u largua vetëm në shoqërinë e ish drejtoreshës së kabinetit, Alketa Zifla. Por ajo që kuptohet nga një vit i ngarkuar për ish-prokuroren e Përgjithshme të përkohshme, është se edhe KLP ka preferuar ta dënojë me përkohshmëri edhe në vijim, pasi edhe gjatë 2020-ës, Marku do jetë e emëruar përkohësisht si prokurore apeli me mandat njëvjeçar.
43-vjeçarja do të përfaqësojë akuzën e apelit së bashku me një rivale tjetër gjithashtu shoqe klase, Fatjona Memçaj, e cila pretendoi gjithashtu postin e Prokurores së Përgjithshme, por që fitoi vetëm tetë vota në parliament.
Ku është Arta Marku?
Pavarësisht të gjithave, në të vërtetë Arta Marku doli nga skena dhe prozhektorët për të u fikën pikërisht ditën kur shpalosi strategjinë në seancën publike. Marku nuk ka shkuar ende në detyrë pranë prokurorisë së Apelit, ashtu sikurse edhe krahu i djathtë i saj, Alketa Zifla që duhet të kthehet prokurore pranë kryeqytetit, apo edhe si Donika Prela e caktuar njëkohësisht në kryeqytet.
Siç thonë burime jozyrtare, të treja zonjat kanë marrë lejen dimërore dhe pritet që të kthehen në detyrë në fund të muajit janar. Duket se metodën e lejes dimërore e kanë ndjekur edhe disa ish-prokurorë të Krimeve të Rënda, të cilët pas shkrirjes së institucionit ku ata punonin, kanë vendosur të marrin veten, jo vetëm për shkak të Vetting-ut që po i pret, por edhe për t’u bërë gati, të punojnë si prokurorë të zakonshëm pranë një prokurorie rrethi, ku dosjet nuk janë më për organizata e trafikantë, por për çështje nga më banalet deri tek më të ndërlikuarat.