Nga Dom Gjergj Meta

Adagio triste
… nuk ishte e thënë që kjo ditë të përfundonte kështu. Diçka tjetër na priste në kthim. Krejt e papritur, nga ato befasi që lënë shenjë në jetën tënde.
Kthehemi nga e njëjta, e vetmja rrugë e surpriza e këtyre Krishtlindjeve vjen sapo kalojmë Krej Lurën në kthim. Është një tufë delesh që më tërheq vëmendjen në anën e djathtë të rrugës në një livadh ku ka ende pak bar. Janë të gjitha në rresht, duke ecur, e pas tyre janë edhe tre apo katër keca e përreth sillen qentë e kopesë. Nuk shoh askund bariun. Në fakt bariun e kishte zënë një shkurre që pengonte pamjen. Me të drejtë: bariu ishte një djalë rreth 12 vjeç ose edhe më pak. Nuk e di për ç’arsye m’u dha të ulja xhamin e makinës e ta përshëndesja. Ai më përshëndet e nga atje ku ishte tenton të thotë diçka. Nuk e kuptoj. Ai e nuhat moskuptimin tim dhe ngren zërin e më thotë:

– A ke pak ujë? – Po – i them – eja e merre!

Marr një shishe që kisha me vete, nga ato që kishim marrë në mëngjes dhe sapo afrohet ia jap. O zot një fëmijë, i veshur keq që më shikon me sy tejet të trishtuar, por të thellë e jashtëzakonisht të bukur. E pyes aty për aty:

– A ke ngrënë drekë? – Jo – më përgjigjet.

Makinat i kemi ndalur e kemi edhe ushqim me vete. Ndërkohë që po nxirrnim ushqimin e pyes:

– Si e ke emrin? – Han – ma kthen – Han? – Po Han …

Nuk e di ende a e kam kuptuar mirë emrin, sepse fëmija fiste me zë të ultë e gati-gati sikur nuk i shqiptonte të plota shkronjat e fjalët.

– Je nga Krej Lura? – vazhdoj dialogun me të.
– Jo – më përgjigjet – jam nga Tirana.

Mbetem shtang.

– Çfarë – i them?- Nga Tirana? Po cfarë bën këtu? – Ja ruaj delet. – Po sa vjeç je – i them pësëri? Ngren supet e thotë: – Nuk e di. Nuk kam qenë kurrë në shkollë. – Po familjen ku e ke? – Nuk kam familje – thotë – Kam vetëm babain. – Po vëllezër e motra a ke? – Kam një vëlla më të vogël. – Po babai ku është? – Ai mbledh kanaçe.

Ka pak fjalë, pasi flet më shumë me shikimin e tij. Ndërkohë Marini që është me ne nxjerr aparatin e tij profesional dhe fikson këtë moment që unë nuk do ta harroj asnjëherë. I japim çka kemi dhe e përshëndesim. Më thotë me zë të ulët, ndoshta sepse nuk ka fuqi të flasë:

– Unë ju kërkova vetëm ujë, por ju më dhatë edhe ushqim. Faleminderit.

Epilog meditativ
Ikëm. Për mua ishte Krishtlindje. Ai fëmijë ishte dhurata e Krishtlindjes. Ai ishte Krishti fëmijë! Një fëmijë bari.

Largohemi, por të gjithë e kemi mendjen te ai fëmijë dhe për pak minuta në makinë bie heshtja. Dalëngadalë e thyejmë heshtjen sapo i afrohemi shpellës së Shutrrisë. Ndalemi e shkojmë ta shohim. Ndjehet gurgullima e pareshtur e atij lumi nëntokësor që del e përfundon në mënyrë të nëndheshme në liqenin e Urakës në Mat.

Vazhdojmë udhën, e sapo mbërrijmë në Qafëpllumth mbi Kurbnesh, pak pa mbërrit në kthesën për Kthellë të Epërme, perëndimi është ndezur flakë, çka premton një ditë të bukur edhe nesër.
Lodhja fillon e ndjehet, por vetëm ajo fizike, sepse zemra është plot, megjithë një grimcë trishtimi të shëndetshëm që Hani na cyti. Familja e Rasimit dhe bariu fëmijë nga Tirana ishin Krishltindja jonë.