Nga Luljeta Progni

Letër vajzës 6-vjeçare, ishte i fundit mendim për Hilmi Hysin, para se ta pushkatonin. Ishte dita e fundit, orët e fundit. Hilmi Hysi kërkoi nga drejtuesit e burgut që të lejohej të takonte doktor Zymën, që ishte caktuar të mjekonte të burgosurit. E kishte njohur kohë më parë dhe kishin qenë miq. Qëllimi i vetëm i këtij takimi, nuk ishte mjekimi i plagëve, por letra që kishte shkruar për Lidian. Pas një bisede me dhimbje me mikun e tij doktor Zyma, Hilmiu i la letrën dhe nisi rrugën e kthimit në qelinë ku po priste nga momenti në moment, ta merrnin për ta çuar drejt pushkatimit. Doktor Zyma e çoi porosinë në vend, letrën drejtuar Lidjas, ia dorëzoi bashkëshortes së Hilmiut, Myneveres. Është dhimbje çdo shkronjë e rreshtuar në atë copë letër para pushkatimit, dhimbje që do t’i mbetej përjetë në kujtesë bijës së vogël, Lidjas, motrës së saj dhe nënës Mynevere.

Letra!

Lidja ime e dashur!

Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.

E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.

Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.

Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!

Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.

Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.

Me mall të puth yt atë Hilmiu!

Tiranë, Janar 1948

Materialet dhe letra janë marrë nga libri “Dosja e Diktaturës”, me autor Pjetër Pepa. Të dhënat për Hilmi Hysin, para se të burgosej janë marrë nga një artikull me titull: Hilmi Hysi, njeriu që nuk e kuptoi kurrë kujt ia pati borxh jetën e tij të re dhe të pafajshme” me autor Gjergj Qafoku.