Dy prokurorët e dosjeve “të nxehta” të politikës, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, janë bërë pjesë e Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta politike.
Ishte kreu i SPAK, Arben Kraja, që kërkoi transformimin e përkohshëm të dy prokurorëve në strukturën që ai drejton. Kërkesa e tij është miratuar sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 9 vota pro, duke i bërë dy prokurorët e njohur pjesë të SPAK.
Dritan Prençi njihet si prokurori që ka hetuar dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa prokurori Mara ka hetuar dosjen e përgjimit të votave nga zyrtarët e lartë socialistë në Durrës, me në krye kryebashkiakun e asaj kohe, Vangjush Dako, i cili është larguar nga kjo detyrë, madje është shpallur edhe person “non grata” nga SHBA.