E bukur, bjonde, princeshë dhe nënë, e pakënaqur, e trishtuar, e tmerruar dhe e vdekur: ja se si princesha britanike i hyri në zemër popullit të saj.
Njëzet vjet më vonë, Diana është një mungesë që është e pranishme në dhimbjen e pandryshuar të fëmijëve të saj. Sot, mungesa e saj risjell skenarin e njëjtë si atëherë, në një version të përditësuar.
Mbretëresha Elizabetë mbështillet në heshtjen e saj midis mureve të kështjellës në Balmoral. Në Londër, Uilliam dhe Herri shfaqen para publikut në Pallatin Kensington, por këtë herë britanikët nuk kanë asgjë për t’u ankuar kundër sovranes, sepse në ndërkohë ka lindur një përrallë e re tek e cila të besojnë, ajo e Kate.
Vdekja e ka zmadhuar mitin e Dianës, Princeshës së trishtuar, të Uellsit dhe njerëzve. Ajo që vetëm donte ta donin, u bë qendra dhe kthesa e madhe e një familje mbretërore, e ngërthyer në mesin e shekujve të traditave të saj, duke sjellë një frymë ajri të freskët fillimisht, dhe një stuhi polemikash më pas, sepse ajo ishte aq e ndryshme, saqë u shfaq, një hap larg fronit, e papajtueshme dhe kundër rrymës. Ose më thjeshtë: Kundër.
Ishin mediat që e transformuan në një ikonë pop, duke shfrytëzuar me të dyja duart idetë që ofronte: Diana princesha, Diana fashion, Diana rebele. Janë fytyrat me të cilat ajo zbuloi veten dhe populli i saj e ka dashur për këtë. Ajo ndau shpirtrat, anglezët, familjen dhe komentet në pro dhe kundër saj. Ajo ishte në gjendje të përdorte shtypin, madje edhe kundër kurorës dhe burrit të saj në një martesë sa për dukje, duke dalë fituese. Ngushëllimi i saj i fundit, i hidhur, në iluzionin e një ëndrre të humbur.
Diana, në kohën e vdekjes së saj, nuk ishte në lartësinë mbretërore, madje as në zemrën e Uindsorëve, por reagimi i njerëzve ishte i mahnitshëm, kështu që familja e saj duhej të kthehej prapa dhe ta detyronte mbretëreshën të bënte homazhet, që ajo nuk do të donte të ofronte.
Nga hiri i Princeshës së Uellsit, u lind princesha e popullit, me në mes transformimin e një stili të jetesës, ndaj të cilit Diana u rebelua, duke rrëfyer në megafonët e medias, dobësitë e saj.
Ato të një gruaje të zakonshme: e tradhëtuar dhe tradhëtare, bulimike dhe e palumtur, por mbi të gjitha nënë, asi nën mëngën e saj, që ajo e hidhte mbi tryezë me klasin e një lojtari profesionist. E bukur, bjonde, princeshë dhe nënë, e palumtur, e trishtuar, e guximshme dhe e vdekur: kështu Diana është bërë një ikonë pop, popullore dhe e popullit. Një ikonë e përjetshme. “Sette” /bota.al/ KultPlus.com