Krishtlindja është festë e shenjtë kristiane, vlera fetare e së cilës nuk duhet të përvetësohet nga aspektet e jashtme”. Me këtë mendim e përcaktim besimtarët dhe krishterë e kremtojnë Natën e Shenjtë të Mishërimit të Zotit, Lindjen e Jezu Krishtit.

Festa e Krishtlindjen na rrëfen për Amshimin, që hyn në kufijtë e kohës e të hapësirës; për Hyjin që, për dashuri, kalon përmes grazhdit të Betlehemit, duke u ulur aq, sa të bëhet i ngjashëm me njeriun. Po sot nuk duhet të harrojmë se Krishtlindja kërcënohet nga rreziku i kremtimit në mënyrë sipërfaqësore, konsumistike, pa hyrë në shpirtin e në thelbin e saj të vërtetë.

E, duke kujtuar shprehjen “Gëzuar Krishtlindjen”, që këto ditë është në gojën e gjithë të krishterëve të botës, të përpiqemi që, edhe në shoqërinë aktuale, shkëmbimi i urimeve të mos e humbasë vlerën e thellë fetare e festa të mos thithet nga aspektet e jashtme, që prekin kordat e zemrës. Natyrisht, shenjat e jashtme janë të bukura, të rëndësishme, në se nuk të pengojnë por, përkundrazi, të ndihmojnë ta jetosh Krishtlindjen në kuptimin e saj më të vërtetë: kuptimin e shenjtë e të krishterë, në mënyrë që edhe gëzimi, i cili buron nga festa, të mos mbetet në sipërfaqe, po të hyjë në thellësi të zemrave tona.

Pra urime të gjithëve, ju urojmë të hyni në misterin e Foshnjës Hyjnore të Betlehemit me fenë e Virgjërës Mari; Ju urojmë që ju, të dashur besimtarë, t’i afroheni Shpellës së Betlehemit me atë gëzim e me atë paqe shpirtërore, që Jezusi Hyjnor vjen ta sjellë në botë; e ju urojmë ta kundroni vazhdimisht shembullin e Familjes Shenjte të Nazaretit, për t’i bërë tuajat virtytet e saj e për t’i zbatuar në jetën e përbashkët të përditshme, me dashuri e në dashuri, sipas porosisë së Krishtit Fëmijë. Kjo Krishtlindje qoftë për të gjithë, ngjarje dashurie, gëzimi, shprese, paqeje! Për shumë Mot Krishtlindja!