Me takime derë më derë dhe diskutime konkrete, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë nisur prezantimin e asaj që e quajnë paketa për rimëkëmbjen ekonomike. Këtë të hënë ata ishin në Shkodër, nga ku ish-ministri Florion Mima tha se plani i PD garanton efekte të shpejta në ekonomi.
Planin për taksa zero për biznesin e vogël si dhe paketën e rimëkëmbjes ekonomike, Partia Demokratike ka zgjedhur t’jua prezantojë bizneseve të Shkodrës, në takime derë me derë.
Ishte eksperti i ekonomisë njëheresh ish zv/ministër i Ekonomisë Florion Mima së bashku me drejtuesit lokalë të PD-së dëgjuan disa prej shqetësimeve që ka komuniteti i biznesit.
Me ardhjen në pushtet PD, thotë Mima, jo vetëm do të implementojë këtë paketë, por rezultatet sipas tij do të jenë të prekshme në një afat të shpejtë.
Florion Mima: Kjo do të ndryshojë shumë shpejt. Në momentin më të parë që shqiptarët do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme PD dhe aleatët e saj kanë gati një program të detajuar që konsiston në lënien e sa më shumë parave në duart e qytetarëve dhe biznesit.
Duke u përqëndruar tek pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, Mima përsëriti qëndrimin e Partisë Demokratike se fatura mund të përballohej nga anullimi i koncensioneve, që për selinë blu vijojnë të jenë kriminale./ oranews/