Ju kam folur një herë tjetër për Zefin. E mbani mend atë burrin nga Kaçinari i Mirditës që jeton i vetëm dhe i varfër në një kullë të bra, ktisur dhe që lexonte Levin? Shumë besoj se po. Asohere unë i çova librat e Primo Levit, edhe pse në fakt ai më kishte kërkuar librin e Carlo Levit, “Tokë e mohuar”, por nga ta dija unë i gjori që Carlo Levi kishte qenë i botuar gjatë komunizmit, jo me titullin origjinal “Cristo si è fermato a Eboli”, por me një titull të ndryshuar, sepse Krishti në kohë të komunizmit nuk mund të përmendej. Shqipëria ishte tokë e mohuar për Krishtin.

Zefi zbret rrallë në qytet dhe vetëm atëherë kur ka nevojë të marrë libra nga biblioteka e qytetit. Sot kishte zbritur në qytet dhe erdhi në zyrën time të më takonte.

Ishte pothuajse i emocionuar kur hyri në zyrë. Ishte hera e parë që takoheshim në Rrëshen, pasi çdo herë jemi parë në Kaçinar kur shkoj për meshë. Unë u kënaqa shumë që e pashë. Nuk donte kafe se vuante nga tensioni, por nga një gjysmë gote raki e morëm, sa për adet e me thanë fjalët e rakisë si i themi ne këtu në Mirditë.

Edhe këtë herë Zefi më befasoi, a thua se e kishte bërë me kast. Gati-gati m’u duk sikur kishte ardhur enkas nga Kaçinari për të më befasuar. Ia nisi të më fliste për Sokratin e të më thoshte se Sokrati nuk ka shkruar asgjë, por ne dimë diçka prej tij nëpërmjet Platonit. “E kam lexuar Apologjinë e tij o dom Gjergji – më tha. Është i madh Sokrati dhe a e di pse or dom Gjergji? Sepse ai thotë që te bashkëbiseduesi duhet të ngjallësh kureshtje”. Nuk e kisha dëgjuar kurrë kaq thjeshtë të shpjeguar artin sokratik të majeutikës. Zefi ma shpjegoi në dy fjalë dhe ngjalli tek unë kureshtjen të shkoja pak më tej. Ia arriti qëllimit.

Zefi ndihet në borxh ndaj meje, sepse unë kam shkuar ta vizitoj, i kam dhuruar libra etj., etj.. Por në fakt, ai nuk e di se jam unë në borxh me të, për çka ai më thotë mua dhe për çukitjen që i bën pretendimit tim se jam njeri me kulturë dhe intelektual. Zefi është një ilaç ndaj krenisë.

Biseda vazhdoi. Hodhi sytë në bibliotekën time e filloi të më fliste për ekzistencialistët. Se si i pëlqente më shumë Kamy sesa Sartrë apo Proust dhe se Miti i Sizifit ishte një kryevepër e tij. “Po unë nuk jam askush dom Gjergji të gjykoj këto mendimtarë të mëdhenj. Megjithatë, Niçe nuk më pëlqen, sepse ai ishte pararendësi i fashizmit. Mbinjeriu i tij është një fyerje për njerëzimin. Por më fal dom Gjergji të lutem, se të flasësh me ty për këto tema është sikur me shit dru n’pyll (ops, e mësova një shprehje të re). Ti i din mirë këto gjëra më mirë se unë. Po të bezdis më fal se unë jam plak”. Unë vetëm dëgjoja dhe nuk kisha fjalë. Kureshtja jo vetëm më kishte kapur, por edhe rrëmbyer e po më befasonte. I thashë: “Të lutem Zef, vazhdo mos ki merak. Po më pëlqen çfarë thua”.

“Jo, se ti i di këto gjëra më mirë se unë”, – përsëriste Zefi. Ai vazhdoi të më fliste për Kirkegardin dhe sensin e tij estetik, për Ajnshatjnin, i cili e kishte zhgënjyer për letrën e tij drejtuar Zotit dhe që ishte shitur 3 milionë dollarë (gjë që unë nuk e dija).

Nganjëherë jeta ka aq shumë befasi saqë të bën të jesh më i përvujtë e kur gjendesh përballë kësaj befasie që të shfaqet nëpërmjet një thjeshtësie dhe varfërie absolute, të mbetet vetëm një heshtje kundruese.

“Për të mirë Zef, hajde ta mbrojmë këtë pikë raki”.

“Për të mirë dom Gjergji e më fal se të pengova. Se ke shumë punë”.

Ndërkohë po kërkonte leje të ikte. I dhashë dy libra t’i kishte për lexim. Kur u çua në këmbë pa fotografinë time me Papa Françeskun. E vazhdoi me atë zërin e tij gjysmë të ngjirur dalëngadalë e duke më shikuar në sy:

“Është italo-argjentinas. Ka qenë kimist Papa Françesku. Ka mbaruar për Kimi. Kam respekt për të. Por unë e di se ai pëlqen Borgesin. Aaaa, dom Gjergji. Borgesi është i madh dhe nuk e kuptoj pse nuk i kanë dhënë Nobelin. Mua letërsia më pëlqen më shumë se çdo gjë tjetër, sidomos ajo italiane. Kam lexuar Montalen, Manxonin, Kalvinon, Karlo Levin, Buzzatin, por edhe librat e Primo Levit që më ke sjellë ti. E megjithatë, Borgesi është më i miri, më i madhi”.

“O Zot, – thashë me vete, – faleminderit për Zefin”.

Ndërsa ikte nga dera, më tha: “Dom Gjergji, unë do të mërzitem shumë kur të ikësh ti nga këtu”.

“Po kush të tha se kam me ikë Zef? Unë jam këtu”, – ia ktheva.

Buzëqeshi, u përqafuam dhe iku.