Nga Ismail Kadare
Migjeni u kthye nga Jugosllavia nëpërmjet rrugës automobilistike veriore
Atë e priste shkodra, qyteti që ai donte aq shumë, që malli i ndarjes dhe ditët e mërzitshme të seminarit ia kishin zbukuruar edhe më shumë në kujtesë.
Shkodra e bukur, mëkatare, me rrugët, portat oborret plot mister, me tregtizat, kafenetë, prostitutat, me kambanaret, minaret, procesionet, erotizmin e fshehtë, me bisedat pas darke, mondanitetin, lypësat, inteligjencën, çmendurinë.
Ky ishte qyteti që ai e donte me një “dashuri tragjike”, pot të përdorim një shprehje të tij. Shkodra ishte parajsa dhe ferri i tij.
“Shkodra, dashunorja e qiellit të kaltër, e liqenit ëndërrtar në të cilin, në mëngjese të kullueta lan hijen e vet”
Kështu do të shkruajë për të kur ta sodisë që larg. Dhe më poshtë: “Këtu në kët’ largësi ndiej damarët e saj që rrahin, rrahin e rrahin…edhe sikur mjeku që tharpton fytyrën kur shef se pacienti i tij ka ethe q’ashtu edhe unë pezmatohem n’idhnim tue pa se pulsi I dashnores seme nuk rreh siç duhet”
Kështu pra ai po rendte drejt kësaj Shkdore të kthjellët e të ngrysur, të dashur e të padashur, për t’u zhytur në të përfundimisht, ëmbëlsisht, tragjikisht, në ekstazën e saj pranverore nga njëra anë, në ferrin e saj nga ana tjetër në bukurinë dhe shëmtimin, në madhështinë dhe rënien e saj.