Një ditë pasi “Gazeta Shqiptare” botoi përgjigjen zyrtare të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit mbi 8 prokurorët e SPAK, ku thuhej se janë emra për të cilët nuk ka dosje tek Ish-Sigurimi i Shtetit, dalin në dritë dokumente të reja. Duke qenë se të enjten Autoriteti vuri në dispozicion vendimet në versionet e tyre të shkurtuara, ‘Gazeta Shqiptare’, në zbatim të ligjit ‘Për të drejtën e informimit’, kërkoi versionin e gjatë të vendimit nr. 185 datë 03.04.2019 sa i takon kreut të SPAK, zotit Arben Kraja.

Njëherësh, “Gazeta Shqiptare” kërkoi të dinte nëse Autoriteti ka dokumente që vërtetojnë apo hedhin poshtë deklaratat publike, sipas të cilave z. Kraja ka qenë hetues para vitit 1990, pra në kohën e komunizmit. Kërkesa në fjalë u përligj kur studiues të periudhës së diktaturës sinjalizuan dhe kur ish-drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z.Agron Tufa, tha publikisht se “Ish-sigurimi komunist i diktaturës rilindi plotësisht me pushtetin e Edi Ramës dhe rilindjen.

Konfirmimin absolut e shohim me zgjedhjen në krye të SPAK-ut të një ish-hetuesi të komunizmit, Arben Kraja. Imagjinoni se me çfarë drejtësie e për çfarë ‘krimesh e kriminelësh të komunizmit, do mund të shqyrtonim ne me hetuesit dhe oficerët operativë grusht bashkuar rreth partisë-nënë!”.

Për sa më sipër, pas kërkesës së “GSH”-së, koordinatori Për të Drejtën e Informimit në AIDSSH, Selami Zalli, thotë se, “duke vlerësuar rëndësinë e rastit dhe në funksion të transparencës maksimale, vë në dispozicion versionin e gjatë e të pashkurtuar të vendimit të muajit prill”, ndonëse refuzoi të vërë në dispozicion procesverbalin e mbledhjes me argumentin se “në procesverbal janë pasqyruar të dhëna personale dhe informacione që kanë të bëjnë me shumë persona, njohja e të cilave nuk është e lejueshme, përveç rrethit të personave të parashikuar me ligjin 45/2015”.

Sipas versionit të gjatë të vendimit, Autoriteti pohon që z.Kraja ka qenë hetues më 1990-ën dhe se ka hetuar çështje të kalimit të paligjshëm të kufirit. Kujtojmë se gjatë kalimeve të paligjshme të kufirit, dhjetëra qytetarë shqiptarë janë vrarë.