Një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, ku ka lënë gjurmë të pashlyera, si me Vllazninë, ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare, pa harruar me skuadrat ku aktivizua jashtë Shqipërisë. Hysen Zmijani është konsideruar mbrojtësi i djathtë më i mirë në historinë e Vllaznisë, por pse jo, edhe i futbollit shqiptar. Ka provuar të luajë me sukses edhe në Francë, Gjermani dhe Arabi. Pa lënë mënjanë kontributin e tij me Kombëtaren Shpresa dhe Kombëtaren e madhe.
Hysen Zmijani lindi në Shkodër më 29 prill të vitit 1963 dhe ka filluar herët të luajë futboll, sigurisht duke patur edhe një traditë familjare në këtë drejtim, ngaqë xhaxhai i tij, Sadetini, ka qenë kapiten i Vllaznisë në vitet ’60, një xhaxha tjetër në boks dhe djalin e xhaxhait tjetër, Bahrinë, në çiklizëm. Me këto pjesëtarë të familjes në sport, natyrisht që Hysa (e thërrasin për shkurt) nuk mund të merrte rrugë tjetër, përveçse t’i përkushtohej edhe ai kësaj fushe, madje duke u bërë shumë shpejt emri më i njohur i familjes “Zmijani”.
FILLIMET – “E kam filluar futbollin nëpër rrugicat dhe toka shumë të varfëra që kemi patur dhe jo në nivelin e duhur, por me shumë pasion. Unë isha nxënës në shkollën ‘Skënderbej’, sot ‘10 Korriku’, një shkollë kjo e profilizuar për atletikë dhe unë në fakt bëra një ‘shkelje’ duke u regjistruar ndoshta edhe tinëz në futboll. Pas dy vitesh që unë kisha filluar futbollin, ka qenë mësuesi im i fiskulturës Il Komi ai që e mori vesh për këtë gjë, por nuk mundi të më hiqte më nga futbolli.
Trajneri im i parë që në moshën 8 vjeç ka qenë Selami Dani, me të cilin kam punuar deri në moshën 14 vjeçare. Bashkë me mua në ekip kanë qenë edhe Arvid Hoxha, Lad Bruçi e shumë të tjerë, të cilët mbesin ende shokët e mi të mirë. Profesor Selamia na ka dashur shumë dhe na ka ndihmuar shumë në hapat tonë të parë me këtë sport. Ka patur shumë prej nesh që nuk kanë patur karrierë në futboll. Një i tillë ka qenë Lad Bruçi, që madje ka qenë kapiteni im, ka qenë një futbollist fantastic, por që nuk e vazhdoi atë, sepse zgjodhi tjetër rrugë në jetën e tij”– thotë në fillim të prononcimit të tij mjeshtri Zmijani për gazetarin Gjergj Kola.
Karriera nis në këtë mënyrë. Por padyshim hapat më të rëndësishëm do të hidheshin tek ekipi i paratërinjve, për të cilin Zmijani kujton: “Trajneri im i dytë që ka qenë Xhelal Juka, që më drejtuar për dy vite, në moshën 15-16 vjeç. Më ka dashur shumë dhe prandaj kam shumë nostalgji sa herë e përmend emrin e tij. Kemi qeshur shumë me të, më ka ndihmuar shumë në karrierë dhe prandaj i jam mirënjohës për gjithçka ka bërë për mua. Nëse Selami Dani ishte i pari që më futi dëshirën për futbollin, Xhelal Juka ka qenë trajneri që më mësoi shumë gjëra rreth kësaj loje, ai që më krijoi besimin në vetvete se do isha dikushi si futbollist”.
Duke kaluar edhe një staf të formimit të tij, radha i erdhi kalimit tek ekipi i të rinjve, për të cilin Hysa shton: “Trajneri i tretë ka qenë Esat Rakiqi, me të cilin kam punuar në moshën 17 vjeç, pra me ekipin e të rinjve. Kemi qenë një grup shumë i mirë, kryesisht të datëlindjes 1963, me Ardian Bushatin, me Ben Çakun, Gjon Koliqin etj”. Paraqitjet me këto ekipe e bënë atë që të spikaste dhe për këtë arsye, menjëherë është grumbulluar me ekipin e parë të Vllaznisë.
“Trajneri i katërt në karrierën time ka qenë Medin Zhega. Ai më mori në ekipin e parë dhe unë kam përjetuar momente të paharrueshme. Vetëm në ëndërr e kisha imagjinuar se do të luaja me Vllazninë përballë mijëra tifozëve. Unë u jam borxhli gjithë jetën tifozëve shkodranë, më kanë dhënë shumë dhe prandaj me të nuk do shlyhem kurrë. Më kanë frymëzuar, kanë qenë gjithmonë pas meje dhe kjo është kënaqësi e madhe për mua dhe prandaj kam qëndruar pranë futbollit për t’i kënaqur këta njerëz. Gjithnjë jam munduar të jap maksimumin tim, fillimisht si sportist, ndërsa tani në pozicione të tjera.
VLLAZNIA – “Në sezonin tim të dytë me ekipin e parë të Vllaznisë arrita të shpallem kampion dhe kuptohet që kjo ishte një mrekulli për mua. Mendova se mbërrita çdo gjë. Nuk ishte kollaj të shpalleshe kampion. Të rivalizoje me Partizanin, që merrte lojtarët më të mira nga e gjithë Shqipëria, dhe po ashtu edhe me Dinamon apo dhe 17 Nëntorin, që po kalonte një moment të mirë”- shprehet Hysa.
KOMBËTARJA U-21: Hysen Zmijani është një nga pjestarët e Kombëtares Shpresa që në vitin 1983, ku arriti një sukses historik: Kualifikimi në tetë më të mirat e Europës. Në lidhje me këtë gjë, ai kujton: “Me Shpresat në vitin 1983 kemi bërë një ecuri të jashtëzakonshme. Eliminuam Austrinë, RFGJ-në dhe Turqinë. Luajtëm ndeshjen përcaktuese pikërisht në Shkodër. Fusha e stadiumit ‘Vojo Kushi’ ishte skandal për nga gjendja e saj. Por ndërkohë trajneri ynë Ramazan Rragami, me zgjuarsinë e tij, mendoi edhe një tjetër rrugë për suksesin.
Na futi një ditë para ndeshjes për të zhvilluar stërvitje në stadium me qëllimin për ta prishur edhe më shumë fushën. Ai e kishte të qartë se, nëse fusha do ishte qilim, gjermanët do na mundnin. Kur erdhën drejtuesit e ekipit gjerman, u tërbuan dhe e quajtën ‘fushë patatesh, por për ne nuk kishte shumë rëndësi. Ia dolëm mbanë dhe shkruam historinë, duke hyrë në tetëshen më të mirë të Europës. Ky ishte Zan Rragami, ky ishte kontigjenti i kësaj skuadre dhe jo më kot, pas një viti, tetë apo nëntë prej tyre u bënë pjesë e ekipit kombëtar”.
IDHULLI DHE WEMBLEY – Gjatë rrëfimit të tij, Zmijani ka zbuluar edhe idhullin e tij në futboll por ka folur edhe për diçka tjetër, që ende edhe sot, i ka lënë mbresa të shkëlqyera: “Idhulli im është padyshim Maradona. Dhe kur mëson se kjo legjendë e futbollit nuk ka luajtur asnjëherë në stadiumin ‘Wembley’ të Londrës dhe unë po, padyshim që më bën mëse të lumtur. Shtatë mijë metra katrorë stadium, shtatë mijë persona të punësuar. Një emocion i jashtëzakonshëm të luash në atë stadium, një ëndërr e çdo futbollisti.
E në fakt duke përjetuar këto emocione, kur vinte puna për kthimin në Shqipëri, na dridheshin këmbët nëpër dogana. Ishim shumë të varfër dhe kur ktheheshim nga jashtë, mendonim të sillnim një dhuratë për nënën apo babanë dhe kishte shumë probleme për t’i kaluar ato në doganë. Aq sa harronim edhe çfarë rezultati kishim arritur”.
ANKETAT – “Viti 1985 do të mbetet i veçantë për mua. Jam shpallur fitues në anketën e ‘10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë’. Votimi bëhej në faqet e gazetës ‘Sporti Popullor’ dhe më votonin nga mbarë vendi. E lexoja gazetën dhe nuk më besohej që arrita deri në atë pikë kur kishte shumë lojtarë të tjerë të mirë, madje edhe sulmues që shënonin shumë gola, por njerëzit më votonin mua, duke më bërë më të votuarin në të gjithë Shqipërinë. Kënaqësia ishte e jashtëzakonshme dhe çdo ditë fluturoja në stërvitje nga gëzimi që më jepte ajo gazetë çdo ditë. E jashtëzakonshme, por e vërtetë!”
KUPA E REPUBLIKËS – “Në sezonin 1986-87, fillimisht u shpalla fitues në anketën e ‘10 sportistëve më të mirë të Shkodrës’ dhe më pas, në fund të atij sezoni, fituam Kupën e Republikës. Eliminuam Flamurtarin, që ishte në kulmin e tij, në finale. Mjafton të pyesësh çdo shkodran edhe sot për këtë ditë dhe ai të thotë me përpikmëri si ka ardhur fitorja. Ka qenë momenti më emocionues i karrierës time. Edhe në vitin 1988 jam fitues në anketën e ‘10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë’ dhe kjo padyshim që ishte një arritje e madhe, sepse siç dihet, gjithmonë më të favorizuar në kësilloj anketash janë sulmuesit, por njerëzit besuan sërish tek unë.”
KOMBËTARJA DHE AJACCIO – “Historia ime e daljes në Europë ka ardhur pikërisht pas ndeshjes Francë- Shqipëri, që u luajt në ‘Parc de Prince’. Një gazetar vendas më kontaktoi dhe më propozoi të luaja me ekipin Ajaccio të kategorisë së dytë. Ne të gjithë futbollistët e ekipit tonë kombëtar, që me të mbërritur në Francë, ishim në dyshimet për t’u larguar apo jo dhe sapo më erdhi një ofertë e tillë, e mora shumë seriozisht. U ktheva në Shqipëri, prita të më vinte oferta zyrtare dhe më pas u largova duke u bërë futbollisti i parë shqiptar që firmosja me një klub të huaj me të gjitha rregullat si futbollist profesionist.
Në kontratën që bëra me Ajaccion kishte edhe një pikë ku shkruhej se Vllaznia ftohej të vinte në Corsica për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Pikërisht vizita e ekipit shkodran në Francë i dha mundësinë 10-12 futbollistëve për t’u larguar. Kjo në njëfarë mënyrë solli shpërbërjen e Vllaznisë, por u krijoi mundësinë atyre që të shpërndahen nëpër vende të ndryshme të Europës, ku krijuan edhe jetesën e tyre më pas. Për mua personalisht ishte një vit shumë i mirë.
Bëmë një paraqitje shumë të mirë, sidomos në Kupë, ku u përballëm me disa ekipe të kategorisë së parë. Ndeshja më e madhe për mua ka qenë ajo Ajaccio-Monaco. Kjo ngaqë me ekipin kundërshtar luanin emra të mëdhenj të futbollit botëror, si portieri Etori apo lojtarët Turam, Petit, Jorkaeff, Fofana, Ëeah apo dhe trajner kundërshtar ishte i mirënjohuri Arsen Wenger.”
ARABIA SAUDITE – “Në sezonin 1993-94 kam kaluar tek ekipi Al Naser në Arabinë Saudite, ku kam arritur suksesin më të madh të karrierës time. Trajneri që kisha tek Ajaccio kaloi në këtë vend dhe dëshironte të më kishte në skuadër. Dhe ka qenë një sezon shumë i suksesshëm, sepse arritëm të shpalleshim kampion. Al Naser kishte plot 12 vite që nuk e fitonte titullin dhe, për këtë arsye, në ndeshjen finale që u zhvillua në stadiumit e kryeqytetit të këtij vendi, në Riad, pikërisht në stadiumin “King Fahad”, që në atë periudhë ishte ndër stadiumet më të bukura në botë, gëzimi ishte shumë i madh.
Ne patëm fatin të takonim edhe mbretin e këtij vendi dhe njëkohësisht njeriun më të pasur në botë, King Fahadin. Edhe në sezonin 1994-95 u shpallëm përsëri kampionë të Arabisë Saudite, një finale e cila u zhvillua në Jedah. Fitimi i titullit kampion për të dytin vit me radhë dhe, për rrjedhojë, në Riad pritja që na është bërë, ka qenë e imagjinueshme.
Aeroporti ka qenë i bllokuar nga të gjitha anët dhe, kur dolëm në rrugë, sirenat, vërshëllimat dhe xhirimet e gomave të makinave, na kanë shoqëruar deri në klub. Pastaj vështirësitë për ta përshkruar rrugën nga autobusi deri te klubi kanë qenë të pabesueshme dhe policia nuk mund ta përballonte popullin e shumtë. Tifozët na kanë zhveshur duke na i hequr thuajse të gjitha rrobat e trupit për t’i patur si kujtim.”
BUNDESLIGA – “Në sezonin 1995-96 jam kthyer sërish në Europë, këtë herë duke u transferuar në Bundesligën gjermane, pikërisht te St.Pauli. Ishte një eksperiencë e vonuar për mua, por me vlera shumë të mëdha. Pothuajse isha në fundin e karrierës time si profesionist, por ndeshja e mirë që kisha zhvilluar me Kombëtaren shqiptare ndaj Gjermanisë, ku realizova edhe një gol, duket se ka qenë shkaku për këtë kalimin tim te kjo skuadër. Trajneri i kombëtares gjermane Berti Vogst, pas ndeshjes, ishte shprehur se lojtari me numrin 2, që isha unë, na vuri shpeshherë në vështirësi. Kjo ishte shkëndija që trajneri i St.Paulit të insistonte për të më patur në ekip.”
RIKTHIMI NË ARABI – “Në Gjermani luajta vetëm një sezon dhe një vit më vonë, pikërisht në sezonin 1996-97 jam rikthyer të luajë sërish në Arabinë Saudite. Por ky rikthim në këtë vend, këtë herë ishte sa për të përfituar edhe një vit kontratë, sepse mosha fliste vetë dhe po ashtu, fillova të mendoj për krijimin e familjes. Madje, në Arabinë Saudite lindi edhe vajza ime e parë, Serena, që më solli një emocion të paimagjinueshëm.”
FRANCA, FUNDI I KARRIERËS – “Në vitet 1997 deri më 2006 u ktheva në Francë për t’u stabilizuar. Luajta si amator afërsisht dy vite, pastaj një vit tjetër fillova të punoj si trajner po me këtë ekip. Në vitin 2000 u tërhoqa përfundimisht nga futbolli dhe pas një viti si trajner me ekipin e parë, fillova të drejtoj ekipet e moshave U-15 dhe U-17, punë që e bëra deri në vitin 2004 kur u largova përfundimisht nga sporti. Në Francë kam jetuar deri në vitin 2006, kur vendosa të rikthehem në Shqipëri.”
SHQIPËRIA – “Unë sot peshoj më shumë në vendin tim. Fare mirë mund ta kisha ndërtuar jetën diku jashtë, por jo. Jam i kënaqur për zgjedhjen që kam bërë, megjithëse duhet që secilit t’i jepet vendi i vet. Unë bashkë me shokët e mi kemi arritur të sjellim 12 apo 15 mijë tifozë çdo ndeshje në stadium dhe për këtë meritojmë respekt. Në Gjermani, Beckenbauer, Rummenigge e të tjerë, në çdo moment ishin të respektuar, por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Nuk e kemi atë respektin që meritojmë. Si futbollistë duket se vetëm 10 vite mbijeton dhe më pas, nuk ke asnjë privilegj, dhe nuk e di askush se me çfarë do të merret.”/Konica.al/Eduart Ilnica/