Një i ri është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi ishte shpallur në kërkim nga vendi ynë për veprën penale vjedhje me pasojë vdekjen.

I ekstraduari është Arlind Hyseni, alias Shpend Mazari, 34 vjeç, lindur në Pukë. Ai pasi kishte kryer krimin ishte arratisur në mënyrë ilegale në SHBA, por tashmë ai do të përballet me drejtësinë shqiptare.

Sipas policisë ku 34-vjeçar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendim numër 641, datë 02.06.2005 e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Krimin Arlind Hyseni e kreu në vitin 2004 ku më 12 korrik të këtij viti, rreth orës 03:00 të mëngjesit në vendin e quajtur rruga “Besa”, Tiranë, në bashkëpunim me shtetasin F. M. ka tentuar të kryejë vjedhje me armë në banesën e M. S. Pas rezistencës së bërë nga banorët, autorët kanë shtënë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin G. S. dhe plagosur rëndë shtetasit M. S. dhe H. S.

Operacioni i përbashkët i rikthimit është kryer mes Interpol Tirana, Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) dhe Zyrës së Hetimeve Kriminale (OCI) në Ambasadën e SHBA-së Tiranë .

Ndërkohë Shpend Mazari ishte arrestuar që në vitin 2013 në SHBA, pasi është shpallur fajtor për grabitjen e gati 500 mijë dollarëve në 2 banka të SHBA-së më 2011.

30 vjeçari nga Puka me banim në Clifton të SHBA-së pranoi më 7 shkurt të 2013 në Gjykatën Federale të Neëark se ishte autor i grabitjes së degës së TD Bank në Clifton më 2 nëntor 2011, dhe të TD Bank në Wllington më 30 dhjetor 2011.

Mazari kishte hyrë në SHBA me dokumente të parregullta dhe kërkohej nga Interpol për vrasje e kryer në Shqipëri që në 2004.