Gazetarët, aktivistët dhe analistë, mbështetur dhe nga opozitarët, do të zhvillojnë paraditen e sotme një protestë kundër paketës anti-shpifje të qeverisë. Protesta pritet të nisë në orën 09:30, para Parlamentit, aty ku deputetët do të zhvillojnë në orën 10:00 seancën plenare, ku në rend dite është edhe votimi i kësaj pakete.
Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë këtë paketë me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.
E propozuar nga qeveria me në krye kryeministrin Edi Rama në paketën anti-shpifje parashikohet që Autoriteti i Mediave Audiovizive të marrë kompetenca deri në mbylljen e portaleve, nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje.
Ndërkohë, kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.
Nga ana tjetër, paketa anti-shpifje është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, e kanë vlerësuar si pengim të fjalës së lirë.