Një incident i rëndë raportohet të ketë ndodhur gjatë procesit zgjedhor për ngritjen e degës së re të Partisë Demokratike në zonën Nr.16 në Tiranë, te “Unaza e Re”.

Një burim për Newsbomb.al bën me dije se dy anëtarë të kësaj force politike që pretendojnë të marrin me forcë kryesinë e kësaj dege kanë dhunuar kryetarin dhe një anëtare të grupit të punës si dhe kryetarin e grup-seksionit të PD-ës, dhe kanë shkatërruar materialet zgjedhore në ambientet e një lokali te zona e “Astirit” ku po zhvillohej procesi.

Është dashur ndërhyrja e policisë që situata të vihet nën kontroll.

Sipas burimit në fjalë, kanë qenë vëllezërit Gëzim dhe Shkëlzen Sadikaj të cilët kanë dhunuar Adriatik Shehun, kryetar i grup-seksionit të PD-së në këtë zonë, Ervin Minarollin, kryetari i grupit të punës dhe antaren Minushe Lazaj.

Gëzim Sadikaj, i cili pretendon të marrë kryesinë e kësaj dege, duke parë që nuk ka arritur mbështetjen e duhur, ka shkatërruar materialet zgjedhore dhe ka dhunuar së bashku me vëllain e tij anëtarët e grupit të punës të caktuar nga kryetari i PD-së Luzlim Basha për formimin e degës së re të partisë.

I kontaktuar nga Newsbomb.al, zoti Shehu ka konfirmuar incidentin dhe dhunën e ndodhur rreth orës 19:00 gjatë procesit për ngritjen e degës së re Nr.16 në ‘Unazën e Re’ në zonën e Astirit.

Procesi i sotëm kishte të bënte me zgjedhjen e delegatëve të cilët në një datë brenda muajit dhjetor do bënin të mundur me votën e tyre zgjedhjen e kryetarit të degës së re Nr. 16, në “Unazën e Re”.

Procesi u anulua për shkak të shkatërrimit të materialeve zgjedhore dhe daljes së situatës jashtë kontrollit. Ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave të policisë të Komisariatit Nr.6 për të vënë situatën nën kontroll, raporton burimi për Newsbomb.al.

Pas qetësimit të situatës, grupi i punës është larguar drejt selisë qendrore të PD-së.