Poezi nga Albert Vataj

T’shoh me syt e qiellit, e lumja Shkodër, me loçkën e zemrës t’ndij n’hir
e amël je, e dlirë, e dashtun e fort e mir.
U bana zog e fllad, erdha te ti t’gjeta t’lame me ves nadjeve t’tuja t’mylmye n’tamël legjende, buzën ma njome me lot, t’putha edhe pse dreshta me t’nguc zjarmin.

Gzuemja e tana gazmimeve qi përkunden n’prehnion tand,
Shkodër, m’nep syt e shpirtit me shue mallin,
zemrën jepma, ta ndij prushin e dashnis tande,
e shenjta e n’tana t’shtrenjtave, ninulla jeme,
andrra e krejt andjeve, mbetun ke,
lëngimi i plagve tuja, dhembin n’shtatin tem.

Beha me ret e n’ball t’pikova, Shkodër loce, vezullim mu bane n’syt e qiellit, yll shkrepe, hyjnesha e tana legjendave.
Krahë m’dha lumnimi jot, e sy më mëkoi shpirti, t’mallshemet jaret tuja, zanin ma flakën, u ndeza, n’diellin tand me u fik.

N’zjarm t’shpirtit t’djegi shpirti jem n’zemra dashnish t’përpush tue t’puth. T’rroki bash fort, njashtu siç din veç malli e ngihem me ty zoja Shkoder njaq sa me ledhat e nanave qi vjeshta i nder gjetheve shikimet tinzare t’vajzave e prekjet e ndrojtuna t’dëshirimit.

Shkodër, e lumja ti, Prap erdha e shkova, tue t’lan bekue, n’za, n’zemër e n’shpirt, si prej syve t’zogut qi t’kqyri s’nalti njashtu edhe prej urdhnimit t’përuljes. Sot e sa dritë dielli e flak malli t’kallet n’ty.

Amen! /KultPlus.com