Nga Xhahid Bushati

1.Shkrimtari Skënder Drini e mbarte si relike të çmueshme në kujtesë: kur dhe si erdhi i biri i prefektit Riza Drini i dashuruar si fanolist, të jetojë në Shkodër.

Në këtë marrëdhënie më shumë se një gjysmë shekulli me këtë qytet Verior, vallë ky qytet e ‘shkodranizoi’ Skënderin, apo Skënderi e ‘shkodranizoi’ këtë qytet?.. Apo ende janë në kërkim të njëri-tjetrit…, edhe pse shkrimtari ka 5 vite që ka ndërruar jetë.

Qytetit Verior e Skënder Drini kanë secili profilin, identitetin e gjurmëlënien e vet…

Skënderi ka lindur në Voskopojë (Korçë). Teksa fliste për një problem a teksa qeshte (dhe rrallë qeshte), zëri i tij sikur ngjante si një serenatë e harruar korçare por edhe si një jare shkodrane ende e pa mësuar deri në fund. Por për Shkodrën, për rrënjët, traditat dhe historinë e saj të fliste imtësisht dhe me kompetencë, aq sa edhe dituria e ndonjë intelektuali shkodran ishte i detyruar ‘t’i hapte udhë’ rrafshit kulturor të eruditit Skënder Drini.

Në këtë qytet Verior, e njihnin mirë tregimtarin, romancierin, diplomatin dhe analistin Skënder Drini. Në jetën e tij shkrimore këtij qyteti i kishte falur romanin “Vraje tradhtinë”, për ta bërë atë të pavdekshëm. Në këtë hulli letrare më kujton dhe librin “Tregimet e Veriut”. Si simbolikë a diçka më tej, më sjellë pranë zërin e Migjenit me “Novelat e Veriut”.  Vërtet, në këto libra jetojnë e trazohen kohëra me problematika të ndryshme, me pika të largëta horizontesh shikimi, por që zbulojnë afri e shtigje takimesh… Kohë shkrimtarësh apo shkrimtarë që kanë fiksuar kohën?.. Në këtë marrëdhënie Koha lëviz, flet dhe në heshtje prapë flet Në mes tyre, si një zonjë e rëndë, rri Pavdekësia, si një memorialistikë vlere kushtuar njerëzve që u kërrusën dhe u thinjën,  nga që i kishin dhënë ‘besën’ diturisë së letërsisë e kulturologjisë.

2.Ditët e Skënderit ishin aq të zakonshme, të dukshme e të përceptueshme, sa nuk e ke të vështirë t’i rrëfesh. Rrëfimi është i thjeshtë, i natyrshëm e njerëzor për një personazh stoik që kohës i kishte bërë sfidë, ndërsa, vetë, koha në këtë “dyluftim” nuk ishte treguar bujare, përkundrazi vende-vende dhe e pamëshirëshme. Këtë mungesë të hapësirës në jetën e tij njerëzore nuk e kanë ndjerë hapësirat e prozës së tij artistike, ku gëlojnë natyrshëm, si: filozofia, poetika, meditimi, simbolika, kontrasti, sugjestioni, pasuria leksikore dhe fraza e ngjeshur me domethënie e ngarkesë emocionale. Të gjitha këto më kujtojnë romanin “Korbi”, një kod identiteti në opusin romanesk të Skënderit.

“Korbi, – siç do të më thoshte Skënderi gjatë një bisede një ditë (kjo para ca vitesh), – është një histori e gjatë, një eksperiencë e imja e shumë viteve më përpara, 60 vite a 70 më përpara në Turqi, që unë kam pasur rastin të shoh e të njoh një korb që fliste disa fjalë. Unë kisha elementin e parë, korbin që fliste pak fjalë, por më ka intriguar vite me radhë, por nuk kisha pjekur e kristalizuar filozofinë e veprës. Unë e ndieja që e kisha këtë korb, dhe gjatë viteve filozofia u kristalizua, u qartësua dhe doli romani. Unë nuk besoj që jo të gjithë emigrantët i ka pritur një korb, sepse jo vetëm fati i emigracionit shqiptar, por edhe fati i emigracionit në shkallë botërore ka notat e veta të dhimbshme e të trishtuara dhe, fillon me një hap mjerimi do të thosha unë, dhe ekzistojnë më të fortët, ata që jetojnë dhe mbijetojnë. Duke e shkruar këtë vepër unë kam kujtuar Xhek Londonin, “Dhëmbin e bardhë”, romanin e tij. Në kohën kur doli kjo vepër, një pjesë e kritikës tha: pa qenë qen Xhek Londoni nuk mund ta shkruante këtë vepër. Edhe gjatë veprës kam menduar shpesh, se pa qenë korb nuk mund ta shkruaj këtë vepër.”

Ditët e Skënderit ishin të ngjashme me njëra – tjetrën. Përgjithësisht kishte një orar të paradites, kur dilte nga shtëpia. Ecte në këmbë. Trotuarit. Hapat e tij nuk dëgjoheshin, aq të butë ishin. As nuk trokisnin. As nuk zhurmonin. As nuk tërheqnin vëmendje. Ecte i menduar. Gjithmonë me një vatër letërsie a motiv që rrinte ndezur pandërprerë… Me sy të palëvizshëm, që të vështronin pa ia nda e të përkëdhelnin edhe në heshtje. Sy që flisnin për pafajsi. Miqësisht të vinte dorën mbi supe. Dorë që nuk të vriste. Dorë që të lëmonte si penda e një zogu. Mbase, ti, nuk e ndjeje, por gishtrinjtë e tij po aq sa ishin të plakur, po aq ishin të rrudhur, po aq ishin të zverdhur. Me cigaren që ndezte cigaren… (Ndoshta kjo është arsyeja që ende nuk kishte bërë një tregim kushtuar shkrepses…) I heshtur. Edhe në mbretërinë e kësaj heshtjeje, Skënderi: sa linte gjurmë urtësie aq linte dhe gjurmë lavdie.

Qëllonte gjatë rrugës, shpesh qëllonte që një makinë t’i ndalej pranë. Nuk e trembte. E bënte vetëm të kthente kokën ngadalë i shoqëruar me një vështrim përhumbës. Janë nga ata miq që e njihnin, por janë edhe nga ata miq që s’e njihnin. Kishte nga ata që e njihnin së largu, ashtu siç kishte nga ata që nuk e njihnin së afërmi. Ia humbisnin kohën e rrugës, por ia shpejtonin kohën e ndenjes për diku… E favorizonin.

Si çdo ditë, e priste lokali i përditshëm me emrin “Venecia”, që ishte në pronësi të ish boksierit të talentuar Besnik Gjetja. Shpirtzemërgjerësia e tij i falte shkrimtarit Drini në çdo moment ngrohtësi njerëzore. E priste një ndenjëse, ku nuk ulej askush. E priste një kafe me shumë kafe në një filxhan  jo të zakonshëm. Sillte nëpër mend e përcillte në atë rrufitje traditën e kafes shkodrane. Pastaj fillonte avazin e zakonshëm, por jo bezdisës, atë të ndezjes së cigares që s’kishte të pushuar e të shuar. Pastaj lëviznin shtëllungat e hirta të tymit, që e mbulonin si padashur shkrimtarin që më shumë heshte se sa fliste. Ato shtëllunga tymi sikur e degdisnin në kohë dhe e risillnin përsëri në kohën aktuale…

Dukej sikur i ngjante një personazhi absurd i një kohe absurde. Pastaj çdo gjë fanitej dhe vazhdonte biseda me përditshmërinë e saj. Pastaj…, siç i quante ai njerëzit e tij më të shtrenjtë të gdhendur e përjetësuar në tregimin “Testamenti”, vinin në orare të ndryshme: Kali Arab, Dhelpra, Kokëforti Aktiv, Pacuku, I sinqerti, Topi me dhjamë, Daja, Gjenerali “Dihet, – shkruan shkrimtari, – që këto nuk janë emra të vërtetë, por pseudonime që unë i kam vënë për t’i përkëdhelur dhe llastuar… … Balzaku i madh, dhe një varg balzakësh më të vegjël se ai, na kanë kujtuar se, atij që merr mundimin e madh për të lënë një testament, i faniten përpara syve portretet e njerëzve që e kanë rrethuar nga afër në jetë.” Dhe aty, përkrah tij ishin, flisnin, frymonin, heshtnin e jetonin personazhet e tij, që mbartnin plot histori e plot copëza jete të çdoditëshme. Kështu dhe lindte një tregim prej tij si një mbresë e çastit. Kështu, disa janë kthyer në personazhe, të tjerë së shpejti mund të ishin të tillë. Tani lokali në sytë e botën e shkrimtarit nuk ishte më lokali i çdoditshëm, por një muze me objekte-njerëz që për ta flisnin testamentet-Jetë përmes lëvrimit të tregimit të shkurtër.

Kohët e fundit shkrimtari Skënder Drini pikërisht kësaj gjinie të vështirë po i rrekej. Siç duket në rrjedhën letrare kishte ende për të thënë, e ‘Testamentit’ ende fjalë për t’i shkruar. Kjo marrëdhënie me këtë gjini që zakonisht shkrimtarit i falte mjeshtëri e zotësi mbetet “një pikë e dobët dhe e vështirë, por jo e pakapërcyeshme”  edhe në jetën letrare të Skënder Drinit, se “…duhet të thuash diçka të madhe brenda pak faqeve. Kërkon koncentrat absolut.”

Teksa lexon prozën e shkurtër të Skënder Drinit, vetiu të vjen të përmendësh: Çehovin, Turgenievin, Mopasanin, Buxatin, etj. Bën përpjekje të rikujtosh e ta qasësh me një autor shqiptar… Por tipologjia e tregimeve të Skënder Drinit ka tipare dhe veçoritë e tij, të papërsëritshme. Nuk gjen një të krahasuar, ndonëse vatrat poetike që u ngjajnë flakadanëve olimpikë jetojnë edhe periferive. E, duke iu risjellë këtyre tregimeve, nuk e ke të vështirë të dallosh filozofinë e shkrimtarit, skalitjen e personazhit, kompozicionin e kujdesshëm dhe delikat, ndërtimin e frazës me ngjyra poetike, kontrastuese, e me një emocion që të rrëmben falë një kulture të admirueshme.

Kur nata i falte qetësinë shkrimtarit, i cili s’mund të jetonte pa të, ai niste dhe shfletonte letërsi të huaj… Takime me prozatorë të mëdhenj të njohur e të panjohur i dhuronte, si gjithnjë, planete të reja shkrimtarie dhe jo “…planete të lodhura” – siç do të thoshte diku në një krijim të tij shkrimtari Drini. Natën punonte romancieri e tregimtari Skënder Drini!.. Natën punonte dhe Kafka. Natën punonte dhe Frederik Rreshpja, një poet tjetër i talentuar i letrave shqipe.

Skënder Drini ishte një nga ata shkrimtarë me emër të letërsisë shqipe, që panteonit të letrave dhe bashkëkohësve, si testament u ka lënë këto vepra, si: “Tregimet e së shtunës” (ndonëse shahu si lojë brenda shpirtit të autorit i ka mbetur si një vegim i largët, por me një marrëdhënie dashurie si në rini); “Do të luajmë pas luftës”, “Shqipja e kreshtave tona” (dy vëllime), “Midis dy kohëve” (ku historia ngjan, sikur zëvendëson realitetin ekzistues); “Shembja e idhujve”, “Kirurgët”, “Tanush Martini”, “Nata është grua”, “Kthim në vetvete”, “Njerëzit dhe deti”, “Klass”, “Parajsa e gjenive”, “Somnambul”, Testamenti”, etj., që shumica e kësaj kolane nuk u kuptua esencialisht nga kritika jonë letrare, e që realisht këto vepra do t’i dëshironte t’i shkruante e ëndërronte çdo krijues