Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, bashkë me familjet, por edhe pasi të dalin në pension. Ligji për statusin parashikon që magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cënimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit.

Ndërkaq, një vendim i qeverisë, i miratuar pak kohë më parë, parashikon që në raste të veçanta dhe me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorit të SPAK i sigurohet mbrojtje për banesën dhe eskortë.

Komisione të posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, si dhe të banesave të tyre.

Prokurori i SPAK-ut ka të drëjtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku ushtron detyrën.

Për çdo anëtar të familjes së tij, i cili jeton në të njëjtën banesë me prokurorin e posaçëm, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Në rast se në një familje janë dy persona që kanë të drejtë të përfitojnë kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, do të përfitohet vetëm nga një prej tyre.

Fillimisht, para se të emërohen, prokurorët e posaçëm duhet të firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. Edhe familjarët e tyre duhet të firmosin të njëjtën deklaratë me shkrim. Ata kanë vetëm nga një telefon celular, vetëm nga një numër telefoni dhe vetëm një adresë poste elektronike.

Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, në të kundërt provokojnë shkarkimin nga detyra. Ndërkaq, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kryejë vëzhgimin periodik të të gjitha telekomunikimeve të prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë stafit të Byrosë së Hetimit.

Hetuesi që vëzhgon bisedat e prokurorëve specialë do të zgjidhjet me short. Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje.

Por, edhe vetë oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit që monitoron komunikimet, është nën monitorim. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm, i cili drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë.

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave cakton një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të prokurorëve të posaçëm dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Personi që kontrollon lëvizjet në llogaritë bankare ndryshohet një herë në dy vjet. Ai duhet të sinjalizojë për çdo lëvizje të dyshimtë.

Ndërkaq, të gjitha lëvizjet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyren nga një oficer përgjegjës, konkretisht hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta.

Oficeri përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm lidhur me çdo lëvizje të dyshimtë të parave.

Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në transaksione të mëdha financiare, modele të pazakonta transaksionesh financiare, transaksione financiare nga burime të pazakonta apo kriminale apo në ekzistencë llogarish financiare, të cilat nuk janë deklaruar.

©Copyright Gazeta SHQIP