Në “Ka një mesazh për ty”, Odesa kishte ardhur nga Italia për të kërkuar nënën e saj biologjike. Ajo në moshën 13-vjeçare kishte mësuar se ishte e birësuar. Odesa gjithmonë ka hezituar të kërkojë nënën e saj biologjike për shkak se ka frikë se mos ajo e refuzon sërish.

Por pas shumë vitesh ka marrë guximin dhe i është drejtuar emisionit për të mësuar kush janë prindërit e saj biologjikë. Ardit Gjebrea fton në studio një zonjë që quhet Irfani Bozo. Ajo është nëna biologjike e Odesës. Ka ardhur nga Gjermania dhe historia e saj është tepër prekëse.

Irfani ka treguar se ka humbur 4 persona të rëndësishëm për të, vëllain, prindërit dhe para dy vitesh edhe bashkëshortin e saj. Historia e dashurisë me burrin e saj ka nisur që në moshën 17-vjeçare, por gjatë rrugës ata hasën në pengesa të mëdha. Durimi, bashkëshorti i saj ishte i dënuar politik dhe vazhdimisht përndiqej. Kur lindi vajza e tyre, Irfani tregon se mjekët i thanë se ishte nën peshë dhe duhet të qëndronte në inkubator.

Dashuria e saj me bashkëshortin arriti të kapërcente pengesat që të tjerët vendosnin, arritën të largohen sëbashku nga Shqipëria, por pa vajzën e tyre sepse nuk ia dhanë. Ata e kanë kërkuar vazhdimisht, por nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjurmë të saj. Kur Arditi i thotë se e kanë gjetur vajzën dhe ajo ka dëgjuar nga ana e ekranit gjithë historinë, Irfani emocionohet dhe shpërthen në lot.