Kryeministri Rama vizitoi sot familjen e Alesios, 10-vjeçari që u hodh nga dritarja për ti shpëtuar tërmetit.

Sot, familja e tij hyri në shtëpi të re dhe nesër, ai do të kthehet në bankat e shkollës. Kryeministri i siguroi një bursë mujore prej 150 mijë lekësh për të blerë libra dhe sende të tjera që i duhen. Por nuk harroi ti japë një këshillë të vlefshme për jetën.

“Po morët nota të mira vijnë të tjera, po nuk morët nota të mira nuk vijnë. Bëhuni të zotët e vetes që t’ju njohë bota për atë që jeni ju, jo prej Ronaldos”, u shpreh kryeminstri.

Disa ditë më parë, Rama i premtoi Alesios se do ta shoqërojë në ditën e parë të shkollës.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Rama i ktheu buzëqeshjen vogëlushëve Aurel Lala dhe Alesio Cakoni që i mbijetuan lëkundjeve të forta.

Sapo dolën nga spitali, kreu i qeverisë i dërgoi në Romë dhe u siguroi takim me idhujt e futbollit, Ronaldo dhe Bufon. Nga tragjedia e 26 nëntorit, Alesio Cakoni humbi babanë dhe motrën. Ai ia doli të mbijetonte pasi u hodh nga kati i pestë i pallatit për të shpëtuar në momentin që ra tërmeti dhe sot fatmirësisht gëzon shëndet të plotë.