Policia e Shkodrës ka dhënë njoftimin zyrtar për operacionin e zhvilluar gjatë orëve të natës, dhe ku u vunë në pranga 3 persona. Mes personave të arrestuar janë dy menaxherët dhe këngëtari i një klubi nate në Shkodër, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i tij, me inicialet E.M.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se të arrestuarit janë Gasper Marku, Aldo Vruçaj, dhe Zamir Jakupi, i cili lehtësisht gjendet dhe në motorët e kërkimit, pasi është këngëtar.

Po ashtu gjatë aksionit u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në Shkodër (balerinë).

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta shtetas, në bashkpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.

Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.