Solidariteti me shqiptarët pas tërmetit të 26 nëntorit, ishte i madh, pasi e gjithë bota foli për Shqipërinë. Një pjesë e madhe e vendeve nisën ndihma si në njerëz e në para.
Nga ana tjetër dhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë mbledhur ndihma për bashkëkombësit e tyre të prekur nga tërmeti. Elisa është një prej tyre, nxënëse e programit të shkëmbimit YES, e cila ka dhënë ndihmën e saj.
Së bashku me shokët dhe shoqet e saj të klasës, Elisa ka arritur që të mbledh 574 dollarë. Historia e Elisës është bërë publike nga ambasada e SHBA në Tiranë, e cila shkruan se “bota u mblodh për të ndihmuar dhe kjo e mbushi Elisën me shpresë”.
“Pas tërmetit shkatërrues që goditi qytetin e saj të lindjes në Shqipëri më 26 nëntor, Elisa, nxënësja e programit të shkëmbimit YES, e kuptoi se duhet të jepte ndihmën e saj. Me mbështetjen e nxënësve të tjerë të shkëmbimit në Kaliforni, të cilët vinin nga Rumania, Gjeorgjia, Pakistani, Serbia dhe Armenia, ajo arriti të mbledhë 574 dollarë duke dhuruar bakllava në shkëmbim të një dhurimi ndihme. Së bashku me ndihmën, Elisa i kërkoi dhuruesve edhe të jepnin një mesazh mbështetjeje, i cili do përkthehej dhe do t’u përcillej të prekurve. Brenda një jave, bota u mblodh për të ndihmuar dhe kjo e mbushi Elisën me shpresë. “E kam zemrën plot pasi pashë sa të mirë mund të jenë njerëzit dhe e di që bëmë diçka që do bëjë, sikur edhe të paktën një person në vendlindje, të këtë shpresë se gjërat do bëhen më mirë dhe të besojë se pas errësirës vjen drita. I jam mirënjohëse koordinatores dhe grupit tim. Faleminderit të gjithëve që dhuruan. Ju dua shumë dhe jam kaq e lumtur që ju kam në jetën time”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë.