Në bregun jugperëndimor të liqenit të Shkodrës, në Shirokë po vijon me intensitet puna për rikonstruksionin e sheshit kryesor. Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se deri tani janë realizuar 65% e punimeve për rikonstruksionin e sheshit të Shirokës.

“Aktualisht po vijon shtrimi i gurëve në shesh, ku janë shtruar rreth 7500 m2 sipërfaqe. Paralelisht në këtë pjesë të sheshit po vendosen dhe bllokuesit e trafikut dhe kunetat prej guri. Gjithashtu ka nisur puna dhe në hapësirën e parkimit dhe me gjelbërimin e ulët”, – theskon FSHZH.

Sipas FSHZH-së, kjo ndërhyrje po zhvillohet në kuadër të projektit të investimeve prioritare me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit, financuar nga Qeveria Shqiptare dhe parashikohet të përfundojë në shkurt të vitit të ardhshëm.

I gjithë investimi, financuar nga qeveria shqiptare synon të ruajë identitetin e zonës, duke ofruar një hapësirë urbane të dedikuar në shërbim të komunitetit. Projekti synon ta kthejë Shirokën në një qendër të rëndësishme argëtimi, kulture dhe turizmi duke nxitur aktivitete në liqen dhe rreth tij, si dhe duke ringjallur historinë e traditat pa prekur karakterin natyror të zonës.