I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike pas ftesës së radhës të kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar me opozitën për të zgjidhur situatën pas tërmetit. Nënkryetari i PD, Edi Paloka u shpreh në “Facebook” se një takim mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës do t’i shërbente vetëm këtij të fundit për propagandën e tij dhe për të pasuruar albumin fotografik.
“Në ditën e 13-të pas tërmetit, ajo që ju duhet shqiptarëve nuk është pasurimi i albumit fotografik propagandistik i Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tryezë.
Ajo që kanë nevojë shqiptarët është një qeveri e përgjegjshme, një kryeministër që nuk e mbush ditën me shfaqje te shëmtuara me fatkeqët. Shqiptarëve nuk i duhet një kryeministër që shfrytëzon fatkeqësinë për të nxjerrë nga sirtari projektet me PPP korruptive për të pasuruar klientët e tij mbi gërmadhat e vdekjes”, tha Paloka.
Ai i kërkoi Ramës që të lërë lotët e krokodilit dhe t’iu japë shqiptarëve siguri për jetën.
“Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre”, deklaroi Edi Paloka.
Postimi i plotë i Edi Palokës:
Shqiptarët duan ndihmë për njerëzit në nevojë. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi para ligjit për fajtorët. Po të triumfojë ligji mbi partinë, të parët që shkojnë në burg janë ata që lejuan banorët të futen në pallatet e Thumanës të çertifikuara të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit, nga Artur Bushi te qeveritarët e Tiranës.
Po të triumfojë ligji mbi partinë, Gjush Dako në vend që të ri-emërohet dhe të ngarkohet për zhdukjen e letrave live në ERTV, e të shoqërojë Ramën në Turqi, duhet të ishte në burg për masakrën urbane në Durrës, që është bërë me firmën e tij dhe me betonin e tij. Edi Rama nuk mund ta mbulojë dështimin e tij me thirrje hipokrite. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme që çuan në viktima dhe vuajtje pa fund.
Pse emergjencat civile nuk kishin mjetet e duhura për të përballuar fatkeqësinë natyrore? Pse i bëri lekët për paisje emergjencash, gaz helmues për popullin, dhe milionat për qen kërkimi, ushqim për babëzinë e qenveritarëve të korruptuar. Pse nuk i heq 10 oligarkëve të tij 150 milionë dollarë të taksave të shqiptarëve që t’ua kalojë ato njerëzve në nevojë.
Shqiptarët tani ka nevojë për vepra dhe jo për llogje. Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre. Deri tani në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve është vetëm Lulzim Basha.
Në këto 10 ditë, ai ka ofruar 2 plane për kapërcimin e shpejtë të fatkeqësisë: Planin e Emergjencës për banesat e dëmtuara dhe Planin për Rimëkëmbjen e Biznesit të prekur nga tërmeti. Zgjidhjet e propozuara Edi Rama i ka mbi tryezë. Por si përherë atij nuk i intereson zgjidhja por shfaqja, nuk i interesojnë njerëzit por pushteti dhe paraja.