Kryeministri Edi Rama u takua mëngjesin e sotëm në Stamboll, me Presidentin e Turqisë, Recep Tayip Erdogan, ku fokusi kryesor i bisedës do të jetë situata me të cilën përballet Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit.

Disa ditë më parë, Kryeministri Edi Rama lajmëroi vizitën e tij në Stamboll, ndërsa theksoi se Turqia është angazhuar për organizimin e një konference donatorësh, në mënyrë që të lehtësohen pasojat e tragjedisë së 26 Nëntorit për shtetin shqiptar.

Menjëherë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, Turqia shprehu angazhimin për ndërtimin e 500 shtëpive për strehimin e banorëve të dëmtuar.

Erdogan ka qenë këmbëngulës që Turqia ti ndjekë vetë punimet, deri në fund, ndërsa ndihma do të nisë në Laç, ku pritet të ndërtohen 500 banesat.

Derimë tani qeveria shqiptare nuk ka deklaruar asnjë dëm financiar të tërmetit të 26 Nëntorit, ndërsa ekpertët flasin për një kosto rindërtimi që shkon deri në 1 miliardë euro, dhe që nuk është reflektuar derimë tani në asnjë pikë të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e të pastrehëve janë akomoduar në hotele, situata më emergjente paraqitet në zonat rurale, ku banorët kanë kërkesa emergjente për paisjen me çadra dimërore.

Shtëpitë në fshat pritet të ndërtohen në mënyrë individuale nga ana e banorëve, për të cilët qeveria ka premtuar një donacion prej 20 milionë lekësh të vjetra.