Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, është parë duke biseduar me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sveçla, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, është fotografuar gjatë një takimi me zyrtarin e qeverisë serbe, në mbrëmjen e së shtunës.Fotografitë janë realizuar në Tiranë, në atë që njihet si “15-katëshi”, ku edhe po zhvillohet takimi aktualisht.
Gazeta Express ka siguruar dy fotografi, ku Sveçla shihet duke biseduar me Gjuriqin.
Përveç Sveçlës, në takim me zyrtarin serb, në kryeqytetin e Shqipërisë, mësohet se janë edhe deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Nuk dihet arsyeja e takimit të Sveçlës dhe të tjerëve në takim me Gjuriqin.
Gazeta Express ka provuar t’i pyesë Sveçlën, Abrashin dhe Gjinin rreth takimit me zyrtarin serb, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. /Express/