Nga Enton Abilekaj
Ka ardhur “I madhi”. Banorët e fshatit Dedej të Bashkisë Vorë, janë aty për t’a takuar. Kamera është gati, 3, 2, 1 çak. Kryeministri me ministren që është edhe e deleguara e partisë për zonën, të shkrirë me hallet e tyre.
Filmi nuk na i mundëson të kuptojmë si erdhën aty, si u takuan, por ja ku janë në mes të një bisede. Shefi është kurioz të dijë çfarë diskuton vartësja me qytetaren.
Bëhet fjalë për dëmet e tërmetit të 21 shtatorit. Përballë ka një çift që pret të ndërtohet shtëpia, por duhet të presin se janë zgjedhur ata që janë me fëmijë. Vartësja shpjegon, shefi i lejon vetes si gjithmonë një batutë për “djallushen”.
Hallexhinjtë hutohen, nuk dinë ç’të shohin pas batutës, lajm të mirë apo të keq. Burri merr përsipër situatën dhe pa u menduar mirë e quan “njish”. Sapo mendoi se u qetësua bamirësja potenciale, u vrenjt balli i shefit të saj, që po bënte llogarinë e numrit që vjen pas njishit.
Llogari që nuk e ka ngatërruar kurrë, por që banorin e pasigurtë e shkundi si një tërmet i tretë. Ai ballë i vrenjtur dhe ajo batutë e pavend, mund ta linte pa shtëpi.
Jo shteti, jo sigurimet, jo llogaritë e dëmit dhe kushtet ekonomike, balli i vrenjtur i njishit të fyer për ngatërresën e numrave, të le pa strehë përjetësisht.
Do duhen muaj për t’u marrë vesh nëse batuta e “njishit” ishte fatale.
Ndërkohë që episodet e ERTV vazhdojnë, ai i Vorës tashmë është harruar.
Ja ku jemi në Durrës, në Manëz. Mjafton një “çak” dhe kamerat live ta heqin mendjen nga fati i një njeriu në episodin e mëparshëm. Ka fëmijë që tremben dhe ikin me vrap dhe burra që i puthin dorën, gra që i thonë “baba” dhe “marrsh nga ditët tona!”.
Pastaj prapë fëmijë fatlumë që luftuan për mbijetesë ato sekonda kur shtëpia u ra mbi kokë dhe u mori familjarët, por luftonin për mbijetesë edhe ato pak vite që kanë jetuar. Panë ndërtesën të prishej në 21 shtator dhe të mos u shkonte askush, pastaj të binte në 26 nëntor dhe t’u vijë vetë Kryeministri, dëgjuan prindërit t’u kërkonin institucioneve ndihmë dhe të mos e merrnin deri në ditën e flijimit, tani shohin veten me Kryeministrin, me Ronaldon dhe me Buffon.
Ata e kanë marrë tashmë mësimin, institucionet të gënjejnë, Edi Rama jo, shteti i Rilindjes të lë jetim, shefi i Rilindjes jo. Mjafton të mos i ikësh me vrap, t’i puthësh dorën, të mos i ngatërrosh numrin, t’i japësh disa ditë nga jeta jote e mjerë (se në fund të fundit nuk ke ç’i do) dhe problemet marrin fund.
Ata që pritën tërmetin për t’a marrë vesh këtë, janë më të humburit, ata që nuk e kuptuan as pas tërmetit nuk kanë shpresë. Në 2017 e gjithë administrata, të gjitha insitucionet u vendos të drejtoheshin nga whats-appi i Edi Ramës. Ai kishte vendosur të bashkëqeveriste me popullin kundër të gjithëve.
Në çdo institucion u vendos logoja mavi e koalicionit të ri, Parti-popull. Që atëherë nëse kadastra nuk funksionon, pavarësisht se paguhet me taksat e tua, mjafton t’i shkruash Kryeministrit. Po të mos i shkruash, nuk do mbarosh punë. Për fajin tënd.
Kështu me spitalet, me shkollat, me lejet, me ndihmën sociale. Të gjitha t’i siguron vetëm një njeri. Mjafton një mesazh, mundësisht të përfundojë me puthje duarsh, këmbësh ose, pëpr ata që nuk i preferojnë gjymtyrët, me puthje shqisash…
Jo më kot fëmijët që nuk kuptojnë bëjnë të kundërtën e të rriturve që tashmë e kanë kuptuar. Mos kërko llogari, mos pyet pse, mos akuzo “këlyshët”, vetëm lutu dhe do ta kesh.
Jo më kot ata që po kërkojnë arsyet e humbjes së 51 jetëve nën rrënoja, janë ose jashtë Shqipërisë, ose gojëmbyllur, ose të kërcënuar ose të izoluar.
Ata që janë mësuar me kulturën e Shtetit ligjor, që kërkojnë hetim për vrasjen e familjarëve të tyre nga papërgjegjshmëria e një pushteti total dhe abuziv, apo për humbjen e pasurisë dhe shtëpisë nga indiferenca e zyrtarëve të korruptuar, ata që kërkojnë dëmshpërblim sipas ligjit, që nuk duan të takojnë asnjë nga përgjegjësit politikë, të mos bëhen personazhe episodikë të showt personal, por të marrin atë që u takon, janë të humbur.
Përgjegjësi është bërë shpëtimtar, ligji nuk është më abstrakt, ai është mishëruar tashmë dhe shfaqet herë me xhupin e kombëtares e herë me kostum dhe atlete në ERTV. Ose epoka e ligjit ka marrë fund. Ajo që të takon me ligj, që duhet të ta japë Shteti, insitucionet, Ekzekutivi me të cilin përballesh çdo ditë, nuk është më. Jetojmë në epokën post-ligj, ose në ligjin e njishit./Dosja.al/