Emily, një vajzë e vogël nga Agordo, i shkroi një letër të veçantë provincës së Bellunos, adresuar vullnetarëve të Mbrojtjes Civile, ndërkohë që brenda zarfit kishte futur edhe një kartëmonedhë 5 euro.

“E dashur Mbrojtja Civile e Bellunos”, shkruante Emily në letrën me datë 26 nëntor.

Unë jam Emily dhe po ju shkruaj sepse sot në mëngjes, sapo u zgjova, dëgjova një lajm të keq në emisionin e lajmeve. Mami, e cila po pinte kafenë, më shpjegoi se në Shqipëri ka pasur një tërmet shumë të fortë.

Më shkoi mendja te të gjithë fëmijët që flinin në krevatet e ngrohtë, pranë mamit e babit apo me vëllezërit e motrat. Do jenë trembur shumë. Më vjen shumë keq, shpresoj të mos dëgjoj më nga këtë lajme.

Nga frika, ata fëmijë nuk do kenë ngrënë as mëngjes.

Unë nuk jam shqiptare, por do të doja t’u thosha atyre fëmijëve që dua të jem shoqja e tyre e zemrës. Nuk di se si, por do të doja që ju të Mbrojtjes Civile të më ndihmonit t’u dërgoj fëmijëve të Shqipërisë vizatimin tim, kështu që të mund ta shohin që kam menduar për ta dhe që më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur.

Shpresoj që të jenë përsëri të qetë e të lumtur me familjet e tyre. Përshëndetje fëmijë shqiptarë. Po ju dërgoj edhe 5 euro, që të mund të hani mëngjes nesër”.

‘Solidariteti i belunezëve është gjithmonë i madh e prekës dhe ky është shembulli më i mirë’, thotë kryetari i Provincës së Bellunos, Roberto Padrin, i cili e gjeti letrën mbi tavolinën e tij.

Por një histori e tillë nuk mund të mos ketë një fund të lumtur.

Këshilltari i deleguar i MC, Massimo Bortoluzzi, po përpiqet të organizojë një ‘ditë speciale për Emily, duke i mundësuar një takim me vullnetarët’.