Drejtori i Policisë së Shteti Ardi Veliu ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka falenderuar pononjësit e Policisë për kontributin dhe humanizmin e tyre në operacionin e kërkim-shpëtimit të personave të mbetur nën rrënoja pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Veliu ka thënë se forcat e Policisë së Shteti kanë qenë të parat që kanë mbërritur në vendet e zonave të prekura ndërsa shtoi se deri në ardhjen e ekspertëve dhe agjesnive të huaja partnere, kanë shpëtuar në bashkëpunim me autoritetet e tjera vendore 39 persona.

Veliu ka folur edhe për solidaritetin e Policisë dhe punonjësve të sa me të dëmtuarit nga tërmei ku tha se bashkë me familjet e tyre në mënyrë vullnetare dhe humane kanë grumbulluar një shumë prej më shumë së 104 milionë lekë të vjetra.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje,

Jam sot këtu për të komunikuar me ju dhe nëpërmjet jush me qytetarët, për angazhimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit, menjëherë pas rënies së tërmetit të datës 26 nëntor, si dhe për solidaritetin me familjarët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nis nga:
-përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit;
– dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë;
– garantimi i rendit dhe sigurisë;
– disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve;
– sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie.

Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë.

Forcat Renea dhe FNSH-ja në kushte të vështira dhe të rrezikshme për sigurinë e jetës së tyre vijuan operacionet për nxjerrjen e trupave nga rrënojat dhe për këtë ata sot meritojnë mirënjohjen dhe respektin e gjithë organizatës së Policisë, por edhe të gjithë qytetarëve.

Strukturat policore të DVP Durrës, Tiranë e Lezhë, mbas përfundimit të fazës së parë të operacioneve të kërkim-shpëtimit e deri tani vijojnë të kryejnë shërbim me orë të zgjatura vetëm e vetëm që të garantojnë rendin e sigurinë, paprekshmërinë e pronës, duke rritur prezencën policore në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti.

Policia e Shtetit është organizatë ligjzbatuese, por është humane dhe solidare.

Punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu sikundër nuk morën parasysh rrezikun për jetën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, po me këtë ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti nisën të parët grumbullimin e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti.

Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104 milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania.

Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi.

Së treti, dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë apo nëpunës të administratës).

Së fundmi, dua të garantoj qytetarët se Policia e Shtetit është një organizatë me frymë dhe organizim hierarkik me disiplinë në punë e në jetën e përditshme, por mbi të gjitha është një organizatë që mbron jetë me jetë dhe në këtë kontekst çdo kontribut nga punonjësit tanë ka qenë krejtësisht në baza vullnetare .

Prandaj apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër.

Faleminderit!