Në mbledhjen e 14 nëntorit në konferencën e kryetarëve në Parlament është diskutuar mbi nismën më të fundit të PS-së, që kërkonte miratimin e një rezolute të posaçme që kundërshtonte dekretin e presidentit Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit në postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Në mbledhjen e zhvilluar me dyert të mbyllura ka pasur një debat nga ana e përfaqësuesve të opozitës, të cilët e kanë kundërshtuar miratimin e një rezolute, ku vetë demokratja Rudina Hajdari e ka cilësuar si antikushtetuese një akt të tillë.

Ndërsa Myslim Murrizi dhe Adriatik Alimadhi ka theksuar se po bëhen lojëra dhe se dihej që Meta do të zgjidhte Xhaferllarin si anëtare dhe se mazhoranca nuk veproi. Por ajo që ka bërë jo pak habi ka qenë deklarata e kryekomisionerit Ulsi Manja, i cili është mes të tjerash është shprehur se “me rezoluta (kundër Metës) Parlamenti do të vijojë deri më 24 korrik të 2022”. Një datë kjo që përkon edhe me fundin e mandatit zyrtar të presidentit Ilir Meta. Ky qëndrim “justifikon” në një farë mënyre edhe qëndrimin e mazhorancës, e cila edhe pse ka ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit Meta, ende nuk po merr një vendim final.
E majta ka propozuar sërish shtyrjen e afatit të komisionit hetimor për katër muaj, duke çuar në muajin mars marrjen e një vendimi të tillë.

Ndërsa nga vetë Gramoz Ruçi është ngritur shqetësimi i mos ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të organeve të reja të drejtësisë. “Më merak e kanë ndërkombëtarët se sa vetë Parlamenti, në një kohë që duhen plotësuar 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman”, ka thënë Ruçi.