Ditën e sotme Kuvendi do të votojë për Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Në garë për kreun e Prokurorisë janë Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçja.
Për këtë votim sot është zbardhur edhe mbledhja e PS-së, ku mësohet se është vendosur se votat e socialistëve do të shkojnë sot për Olsian Çelën.
KLP nxorri të parin në listë nga kandidatët, Olsian Çelën me 459 pikë, të dytën Arta Marku me 406 pikë dhe të tretën Fajona Memçaj me 362 pikë. Pasi Kuvendi voton me shumicë votash për një kandidat, ky emër i kalohet për dekretim Presidentit të vendit. Nëse dështon votimi në Kuvend, emërimin e bën KLP. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron kandidatin që kryeson listën për Prokuror të Përgjithshëm.
Kush është Olsian Çela?
Olsian Çela e nisi karrierën e tij në vitin 2001, pasi u diplomua në shkollën e Magjistraturës. Fillimisht ai ushtroi detyrën e prokurorit në Tiranë, në institucionin e akuzës dhe pas tre vitesh, në 2004-n u emërua prokuror tek Prokuroria e krimeve të Rënda. Për katër vite me radhe, Çela drejtoi Krimet e Rënda, periudhë në të cilën ‘çarmatosi’ grupet e forta kriminale. Olsian Çela njihet si prokurori i çështjeve të trafikut të drogës ku trajtoi dosjet e bujshme si ‘Xibraka’ që la në burg nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të këtij grupi; ‘Kompas’ që la në burg 32 trafikantët që përdornin prostitutat si korriere dhe çështjen e ‘vrasjes së Mirit të Xhikes, pronarit të Kartodromit’, i njohur edhe si miku i ish-kryeministrit Fatos Nano, dosje për të cilën u dënuar si bashkëpunëtor Lavdërim Tufa. Prokurori Olsian Çela ka pasur nën hetim edhe Emiljano Shullazin, çështje për të cilën u përplas edhe me drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda në vitin 2017, Donika Prelën.
Çela refuzoi te merrte dosjen “Shullazi”, në kohën kur do të jepej pretenca kur prokurori Eneid Nakuçi u tërhoq nga çështja Shullazi për arsye shëndetësore. Prelsa vendosi ta zëvendësonte me short Nakuçi, gjë që prokurorët e kundërshtuan praktikën si të paligjshme.
Kjo solli ndërhyrjen direkte të Kryeprokurores Arta Marku, e cila vendosi t’i transferojë të gjithë, madje kërkoi fillimin e procedimit disiplinor për prokurorët.
Mes tyre ishte Olsian Çela, që përflitej që në atë kohë se do të hidhte kandidaturën për Prokuror të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Këtu u kuptua edhe ambicia ish-kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Olsian Çela për të ardhur në krye të Prokruorit të Përgjithshëm, institucion që aktualisht drejtohet nga Arta Marku. Pas transferimit në Berat, Çela bëri ankimimin, i cili u pranua dhe KLP-ja e risolli prokurorin tek Krimet e Rënda në Tiranë.
Gjithsesi Marku nuk u ndal me kaq. Marku e çoi në Apel vendimin për rikthimin në detyrë, por me 11 vota të anëtarëve të KLP-së, Olsian Çela fitoi ndaj Arta Markut me rezultatin e ngushtë 6 me 5.
Prokurorët, të cilët janë gjithashtu anëtarë të KLP zgjodhën kolegun e tyre të vjetër përballë Arta Markut, por kjo gjë u kushtoi. Vetëm pak ditë pas votimit pro Çelës, Bujar Sheshit i del një dokument që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në shkollë të mesme.
Gjithashtu Antoneta Sevdari, një tjetër prokurore që votoi pro Olsian Çelës u rrëzua nga KPA, krejt papritur pasi kishte kaluar fazën e parë (KPK).
Sot bazuar në renditjen e KLP-së, Olsian Çela konkuron bindshëm Arta Markun. Me një karrierë të shkëlqyer, me një kurrikulum të pasur, njohjen e katër gjuhëve të huaja dhe trajnime në në disa vende të Bashkimit Europian dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çështjet e krimit të organizuar, Çela mbart mbi kurriz 459 pikë.
Çela është gjithashtu pika e kontaktit e Eurojust në prokurorinë Shqiptare. Por mbetet të presim pas propozimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që i paraqet Kuvendit për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm tre kandidatët e renditur në një listë bashkë me vendimin e arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, çështja kalon në dorë të Kuvendit.