A po vjen e dalim në Theth për Shënkoll – me pat dvetë një mbramje fundnandori në Shkodër, miku jem prej Thethi, Petrit Gjeçaj
Ka kenë viti 1993
Mos më thuej dy here – i thashë, – kallzomë ditën Me vrap vij
Ashtu e lamë dhe dy ditë para Shënkollit, herët në nadje pritëm për makina rasti ne dalje të Shkodrës ka rruga e Dobraçit
Në mujshim me gjetë ndonji makinë deri mbi Bogë se ma nalt asht borë e Qafa e T’thores asht e bllokueme! – tha Petriti, rritë i msuem me dimnat në Dukagjin
Jo në Dhetuer po kajherë edhe në gjysë të Nanduerit zehej Qafa e T’thores
Erdh nji makine “Skodë” e Sharrave, shoferi na tha se shkonte deri mbi Bogë po s’kish vende para U kacavorëm të dy në karroceri, u mbajtëm për sponda të “Skodës” aty nalt për nja dy orë të mira derisa mbrrime mbi Bogë
>Me shpejt ja nisëm me iu ngjitë shpatit për në Qafë T’thore mbas nja nji gjysë ore na u desh me ecë nëpër bore. Sa ma nalt ngjiteshim ma shumë bore kishte
Në Qafë të T’thores mund të kishte ngat nji metër e gjysë borë. Por ajo ngjitje aty atë ditë ka me mbetë nji ndër gjanat ma të bukura që kam ba ndonjiherë!
Sa dolëm mbi Qafë, pamë që s’kish kalue kambë njerì ato ditë, (nuk kishte asnji gjurmë hapash), pse dimnit ma shumë rrahet udha e Bregut të Lumit U ndalem në Qafë, njaty ku kanë vendosë monumentin e Edith Durhamit dhe kundruem panoramën e mahnitshme të Thethit në dimën
ethi asht i bukur në çdo stinë, por njeriu nuk e ka pa tanë bukurinë e atij vendi në kjoftë se nuk e kundrue të paktën njiherë në dimën, mblue me borë
Krejt Majat përqark Thethit kishin vendue plisat e bardhë të borës mbi krena e ashtu rreth e përqark luginës së Thethit ngjajshin si pleq të moçem ulun në Oda Burrash. Në ballë të Odës bante shenjë Jezera
Poshtë Lugina e Thethit asaj dite nuk dallohej se e kish mblue jezeri, (mjegulla), deri mbi ahishtë Çfare spektakli i rrallë që ish ajo pamje, nalt në Qafë ku ishim ulë na dielli shkëlzente e ish ditë e bukur, e kthjellët si kokrra e lodit
Majat e majeve shëndojshin tanë shkëlzim e poshtë jezer njicopet
Pamje prrallore!
Tue kundrue at pamje, vërej nji gja që më mrekulloi Ku e kish mblue jezeri dukej si nji liqen i bardhë tamli e herëmbas here ky tamël dukej sikur vlonte kcejshin pikla në ajri
kur shoh që ato pikla jezeri i ngrejshin nalt do shpend që vijshin prej përfundi jezerit e dilshin me pa dritën e diellit! Jo nji, dy apo tre por shumë zogj delshin mbi të Kur u vume mend ma shumë pashë që ato zogj sa delnin mbi jezer lshojshin një pingramë, gati pasthirrmë shendi që po dilshin ne diell hapshin krahët e pluskonin tanë andrrim mbi jezer për disa minuta e kridheshin prapë në jezer e dilshin prap e prap! Nji lojë e magjishme atyne zogjve!
Kah ngriheshin mbi jezer, zogjtë me trupin e tyne tërhjekshin mbas veti do shllunga jezeri, ato që në fillim me ishin dukë si pikla që kcenin! Çfarë metafore me kishte ruejtë ajo ditë e bukur atje n’Majë të Malsisë! Metafora e lirisë a nuk shëndon edhe shpirti i njerìt bash njashtu kur shlirohet e del në dritë!? E isha gati edhe vetë me lshue at pingrramë, at pasthirrmë, bash si njata shpend
Për shpirt kishe ndejtë pafundësisht njaty, por na duhej me ecë se “drue na nxan nata e kadalë-kadalë u ulem shpatit teposhtë e mbas disa orëve mbrrime në Gjeçaj te kulla e Petritit ku na uruen mireseardhjen dhe u gëzuen fort që mbrrime para Natës së Shënkollit U gzuen për Djalin që iu erdhi dhe u gzuen për mikun që ua kish pru Zoti!!
At natë fjetëm herët Ishim lodhë prej tanë asaj rruge! Në mjes u çuem herët, na prunë kafet e gotat e rakisë, Deda, plaku i kullës na shtriu kutinë e duhanit Mirse u ka pru Zoti
Për mue ishte hera e parë që shikojshe si festohej Shënkolli në Dukagjin edhe isha me fat se atë ditë i pashë përgatitjet në Kullën e Gjeçajve, pashë si e gaditi fërlikun Deda, plaku i moçëm dhe e vuni përballë zjermit të oxhakut
“Duhet me e mbajtë ferlikun me masë, as fort ngat zjermit, as fort larg jo!” – më tha kur e dveta pse e vendoi ashtu, – “piqet kadalë-kadalë tanë ditën e në mbramje asht gati për me e hjekë e me e vu në sofër!”
Tanë ditën e rrotulloi at ferlik plaku Dedë. Jo vetëm e rrotullonte ferlikun tanë durim, por e pashë që e kish kaq shumë me knaqsi at punë
Na dolëm nëpër Theth për disa orë dhe kur u kthyem aty e gjetëm, ngeshëm tue pjekë ferlikun. Kur e dveta a ish lodhë hala, m’tha:
“Eh mor bir, po sa vjet kam dishrue vetëm e vetëm me mujtë me pjekë ferlikun e Shënkollit n’kullë teme pa na ardhë operativi i zonës e me na çartë! Shazoten sot e baj për qejf e me zgjatë nji javë nuk mërzitem!”
U ulëm edhe na në postiqe, me gota të rakisë para, e bamë kuvend me të!
Deda ishte plak i rrallë!
Rrotullo ferlikun e baj muhabet me ne tue na diftue për kohnat e kalueme për gjithça na e dvetem at ditë dimni Njashtu si rrotullohej ferliku i asaj nate edhe rrotullama e kuvendit doli te besimin në Zot e feja që ish ndalue për gati 30 vjet
“Eh more djelm!” – nisi kuvend Deda, – “Shazoten kurrsend nuk asht ma i madh se besimi! Ju jeni rritë në kohe që â kanë ndalua e s’jeni msue me besim, por asht punë e madhe! Kurrgja nuk shkon mbarë në jetë mos me pasë besim dhe e mbara vjen kur ban mirë, kur bekon gjithça, kur nuk nemë as true. Kur jep hakun e merr hakun e gjithshkafit! Po jau bi nji shembull
Ju qi erdhët për Qafës T’thores e keni pa udhën që asht e hapun se gati 70 vjet
Shazoten qat rrugë e kanë çelë zotnitë e Shkodrës n’at vakt e kanë pague hakun e mundimin e punëtorëve me napolana ari! E s’ja kanë hangër kujt kurrnji grimë mund as hak! Udha asht nisë me uratë, asht hapë me uratë e shazotën dej sot veç nji rast janë rrzue gjindja n’at udhë e kanë dekë edhe n’at rast kanë kenë do të deleguem prej Parties që patën ardhë me çartë kishën e Thethit! Shazoten kush tjetër pra, rrzue qasajt nuk asht për 70 vjet nuk asht, pra, e boll e vshtirë asht! Se asht e bame me urata! Për tjetrën anë merrnje shembull rrug’n qe ke hapë mbasi hyni Partia, ajo udhe asht çelë me pune vullnetare, pa pague hak as mund, sa loti asht lanë aty e sa ahti ka me nxanë
Shazoten prej se asht hape ajo udhë vjet pa u rrzue dikush n’ta s’ka kalue në k’to male!” dhe Deda kapi mashën e shprushi zjermin e bungut
“Ferliku asht gati!”
U shtrue sofra U thanë uratat e familja banê kryqin
Unë kisha mbetë i magjepsun prej gjithçkaje sikur po lexoja përshkrimet e At Bernardin Palajt ase Donat Kurtit te “Visaret e Kombit” Sa me fat kam kenë që asaj nate mujta me pa si lutej Nata e Shënkollit para se moderniteti me ndrrue gjithçka
Të mbasneserme, kur u ndamë me Gjeçajt, e muerrme udhën për Shkodër, Deda plaku na uroi:“U ruejtë Shënkolli, mbrojtësi i tanë udhëtarve