Pak qytetarë në botë e kanë fatin që bashkë më një kryeministër të marrin bonus edhe një showman.
Ne shqiptarët kemi Edi Ramën. Dhe ai nuk le rast pa na e vërtetuar këtë.
Dje ai shpërndau një video të xhiruar nga një pjesëtar i stafit të tij, ku dukej sikur merrte live lajmin me telefon se BE i kishte akorduar 15 milionë euro Shqipërisë.
Pastaj këtë sihariq kryeministri ia kumtonte këshilltarit të tij Fugës dhe, përmes kësaj bisede, të gjithë shqiptarëve.
Por kjo mis en scene, nuk ka qenë reale, por një video me regji të paracaktuar që Rama me Fugën e kanë inskenuar vetë.
Që kur e pamë atë në fakt na lindën disa dyshime. Si ishte e mundur që Rama ishte duke u filmuar pikërisht në momentin që atij i dhanë lajmin e mirë?
Apo mos vallë ai paguan dikë që filmon gjatë gjithë kohës, pavarësisht nga gjërat që bën ose thotë?
Në fakt pas këtyre dyshimeve, kemi provën reale se kryeministri ka qenë thjesht duke inskenuar në një kafene të thjeshtë italiane, ku ai ka bërë aktorin, Fuga regjisorin dhe një person i tretë kameramanin. Dhe kjo dallohet duke këqyrur një detaj nga videoja, pikërisht telefonin I Phone të Ramës. Aty duket qartë se ai e mban kot në vesh dhe nuk është duke folur me kërkënd dhe fjalët ‘thanks, thanks’ që shqipton i hedh kot në erë pasi celulari është i mbyllur.
Cila është prova? Po të vërehet me vëmendje xhirimi, celulari i Ramës nuk fiket asnjëherë.
Por I Phone ka një sensor që në momentin kur përdoruesi merr një telefonatë e ndjen afërsinë dhe ekrani bëhet automatikisht i zi në mënyrë që të mos shtypet padashje asnjë tast apo komandë që mund të ndërhyjë në telefonatë.
Ndërkohë në video duke që telefoni i Ramës është i ndezur me dritë, gjë që tregon se pas tij nuk ndodhet asnjë bashkëbisedues.
Megjithatë, pavarësisht nga ky mashtrim i vogël kryeministrit, i duhet thënë ‘Chapeau Artiste’, rolin e luajte shkëlqyeshëm dhe ne e morëm në mënyrën më të mirë lajmin e dhurimit të 15 milionë eurove.