KPK ka konfirmuar në detyrë Prokuroren e Krimeve të Rënda Doloreza Musabelliu, e cila është njëherësh dhe kandidate për SPAK.
Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, njëherazi kandidate për në Prokurorinë e Posaçme, SPAK u përball të hënën me procesin e rivlerësimit për të tri kriteret, atë pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Alma Faskaj kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Mia Roessingh.
Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtron funksionin në këtë prokurori prej 14 vitesh.
Gjatë seancës dëgjimore të së hënës ndaj Prokurores së Krimeve të Rënda Doloreza Musabelliu, u evidentuan nga KPK disa mospërputhje në deklarimet vjetore të pasurive dhe mungesë burimesh financiare lidhur me krijimin e pasurive të bashkëjetuesit të prokurores.
Gjithashtu u relatua për një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK në të cilin aludohej për korrupsion pasiv dhe dekonspirim, por KPK konstatoi se çështja ishte ende nën hetim dhe se nuk mund të konkludohet nëse ka pasur dekonspirim.
Por megjithatë sot KPK vendosi konfirmimin e saj në detyrë, pavarësisht se gjatë procesit të Vetinfut jemi përballur dhe me shkarkime për akuza dhe gjetje më të lehta, se ato për Musabelliun.