Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka ndryshuar mendim përsa i përket mënyrës se si mund të bëjë përpara vendi, megjithatë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit ai ka vendosur ta shtyjë për një kohë të pacaktuar tubimin e thirrur prej tij në 8 dhjetor, për mbrojtjen e demokracisë dhe kushtetutës.

“Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak. Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre”, deklaroi Meta gjatë një interviste.

Përvec situatës emergjente që po përjeton vendi, Meta foli dhe për krizën politike dhe kushtetuese të e cila sipas tij është shkaktuar nga mungesa e dialogut politik dhe mungesa e marrjes së përgjegjësive për pasojat që po kalon vendi.

“Unë mendoj se rruga më e sigurt që Shqipëria të lërë pas këtë status-quo të krizave të vazhdueshme artificiale, të mungesës së dialogut politik, por për fat të keq edhe të mungesës së marrjes së përgjegjësive për të gjitha pasojat, që pëson vendi apo që pësojnë qytetarët, është rruga e zbatimit të detyrimit kushtetues që populli shqiptar ka vendosur vetë me referendum më 22 nëntor 1998, që ai për çështje të veçanta të shprehet vetë me referendum, pavarësisht qëndrimit apo vlerësimit të forcave të caktuara politike.

Mendoj që kjo do të bënte të mundur që partitë dhe palët të jenë nën presionin e qytetarëve, të interesit të tyre, të interesit publik, të interesit kombëtar dhe jo për fat të keq si deri tani qytetarët shpesh janë viktimë e palëve, e mosmarrëveshjeve të tyre, e mosmarrjes së përgjegjësive nga ana e tyre dhe po kështu edhe vendi.

Kështu që kjo është rruga më e sigurt për mua pas kësaj përvoje kaq të gjatë, që do ta çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë të gjithë shqiptarët të kenë zë, të dëgjohen dhe mbi të gjitha të vendosin vetë”, shtoi Presidenti. Opinion.al