Tërmeti i 26 nëntorit është ndjerë i fortë dhe ka shkaktuar dëme të shumta materiale në fshatin Shkallë në Manzë të Durrësit. Abc News ishte në shtëpinë e çiftit Djaloshi, e cila ka një jetë të lidhur ngushtë me tërmetet.
Prel dhe Marie Djaloshi u larguan nga Dukagjini në vitin 1979 pas tërmetit që goditi Shkodrën, ndërkohë që banesa e tyre u kthye e pabanueshme edhe nga lëkundjet e fundit të tokës.
Fshati Shkallë në Manzë të Durrësit gjendet vetëm 20 kilometra larg epiqendrës së tërmetit që dridhi tokën në 26 nëntor. Në javën që pasoi tërmetin, banorët janë me sy dhe shpresë nga rruga e ngushtë që të çon drejtë fshatit të vogël. Besimin se edhe për ta do të kujtohen një ditë nuk e kanë humbur. Prel dhe Marie Djaloshi u vendosën në Shkallë 40 vite më parë. Për ironi jeta e tyre është e lidhur ngushtë me tërmetet që nga ndërtimi dhe deri sot në rrënimin e shtëpisë ku rritën dhe edukuan 5 fëmijët e tyre. Maries i kujtohet mirë se ditën kur hyri në shtëpi toka u dridh fort në Shkodrën e saj të dashur.
“Në ’17 kur ka rënë tërmeti i Shkodrës kemi hyrë në këtë shtëpi dhe kaq kohë kemi jetuar këtu. Kura ra dhe tërmeti që ra vjet, i mori ca krisje”, thotë Marie.
Dhimbja e ka zënë ngushtë por do të jetojë sepse jeta e ka përballur edhe me humbje më të mëdha.
“Ne jemi tronditur se para 7 vitesh na ka vdekur një gocë. E kam pasur fotografinë këtu, kur erdhi plaku tha paska rënë fotografia e gocës”, shprehet ajo.
Ajo shtëpi e vjetër por e ngrohtë për të dhe Prenin ishin gjithçka. Dhe sot që e sheh gjysëm të rrëzuar ende ka besim që një ditë ato metra katrorë do të kenë sërish jetë.
Dikush ka vendosur t’i dhurojë një çadër dhe Maria ka kërkuar që ajo të vendoset pranë murëve ku investoi jetën e saj.
Ato copëza muresh nuk do të ngjiten e te behen bashkë siç Preni dhe Marie do te donin, prandaj ata sot kanë nevoje per ndihme, kane nevoje te mos e humbasin shpresen./abcnews.al