Edhe pse një pjesë e vendit ndodhet në emergjencë kombëtare, ditën e sotme është mbledhur Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Mbledhja nisi me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit.
Në këtë mbledhje të Komisioni Hetimor u vendos për shtyrjen e hetimeve me 4 muaj. Kjo mbledhje është drejtuar nga Alban Zeneli, pas mungesës së Ulsi Manjës sot, i cili u shpreh se shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë, për këtë çështje të rëndësishme.
“Ku komision nuk ka pasur kohë kohën e duhur për tu mbledhur dhe për të shqyrtuar faktet. Kjo ka ardhur edhe për shkak të gjendje në Shqipëri pas tërmetit të rënë. Është e pamundur që afati që është përcaktuar me 8 dhjetor. Është koha e pamjaftueshme për të dalë në një kërkesë sa më ta saktë dhe të drejt ligjor. Shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë”, tha Alban Zeneli.
Shkarkimi i Metës:
Gjatë muajve të fundit ka pasur një përplasje e cila vijon ende mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Pasi opozita nuk njohu zgjedhjet e 30 qershorit dhe vijonin protestat, Meta nxori një datë të re për zgjedhjet, 13 tetorin. Për dekretin e parë të anulimit të datës së zgjedhjeve, Presidentit nuk iu bind KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor e rrëzoi. Vendi u fut në zgjedhje. Nga ana tjetër Rama shfaqet i vendosur se zgjedhjet e vetme ishin më 30 qershor. Njëkohësisht nga ana e socialistëve ka nisur edhe procedura për shkarkimin e Metës. Për këtë u ngrit edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit. Rama e quan Metën armik të Kushtetutës.
J.V/Dosja.al