Në kampin e Durrësit ku janë strehur mijëra të pastrehë janë dëgjuar mbrëmë të qeshura të forta fëmijësh duke kthyer shpresën në një situatë paniku pas tërmetit të madh shkatërrues dhe tërmeteve që vijojnë.

Një djalë i ri shkodran, animator festash për fëmijë, i njohur si Kllouni Erind, ka aktruar për fëmijët e mbledhur në stadiumin e qytetit të Durrësit.

Erindi ka udhëtuar me një grup aktivistësh shkodranë për të ndihmuar në kampin e të pastrehëve, ndërsa në postimin e tij në facebook ndihet trishtimi që e ka mbërthyer pas gjendjes që ka parë aty.

“Mbrëmë ishim aty ,ku çdo gjë fliste vetë, s’kishte nevojë për koment përveç se ndjeje frymën tënde që herë të mbushej dhe herë të ndalej.

Mushkëritë të mbusheshin vetëm atëherë ku bota u bënte për një çast më e bukur, ku problemet dhe streset zhduken, çlirohesh dhe buzëqesh me gjithë shpirt…aty, përpara syve të fëmijëve…dhe ti harroje ku je dhe për çfare je.”- shkruan ai.