Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, ka reaguar pas lajmeve në portale që raportuan gafat që bëri ajo me deklaratat pas tragjedisë së 26 nëntorit.
Në një reagim zyrtar, Sako sqaron se deklarata e saj ka qenë shtrembëruar nga mediat, pasi nuk bëhet fjalë për 50 viktima, por për 51.
Ndër të tjera, kryebashkiakja e Durrësit shton se çdo jetë e humbur është tragjedi për një komb.
“Qoftë edhe humbja e një jete është tragjedi për një komb. Dhimbje për 51 jetët e humbura, dhe e lumtur për shpëtimin e qindra mijërave të tjerëve. Jam shume e keqardhur që siç ka dy anë që po punojnë dhe një anë që përpiqet të abuzoje me situatën, ashtu edhe sot kam parë që ka deklarata të miat të cilat janë keqkuptuar nga njerëz dhe media të caktuara. Në vend që të kontribuojnë për ndihma për familjet në nevojë dhe për më shumë humanizëm, për fat të keq ka nga ata që i përdorin minutat dhe statuset e tyre për të shkëputur fjalë nga konteksti dhe për t’i shtrembëruar ato.
Në këto katër ditë të kësaj fatkeqësie, jemi munduar bashkë me miqtë tanë të shumtë që na janë gjendur, të bëjmë çmos gjatë operacionit të kërkim shpëtimit, dhe tashmë për verifikimin e banesave të dëmtuara dhe nisjen e rindërtimit. Është koha të jemi të gjithë bashkë për të kapërcyer këto momente. Durrësi di gjithnjë të ngrihet edhe në momentet më të vështira,” thekson në reagimin e saj kryebashkiakja Sako.
Ndërsa për videon tjetër, ku kryebashkiakja ironizon strehimin e të prekurve nga tërmeti në hotele të shtrenjta s’ka dhënë asnjë koment. Pasditen e sotme në dy deklarata të dhëna, Valbona Sako bëri dy gafa! Teksa fliste për viktimat, kryebashkiakja tha se duhet të ishin të kënaqur me 50 jetë të humbura pasi tërmetet e tjera kanë shkaktuar me mijëra.
Ndërsa në videon tjetër, kryebashkiakja shtoi se hotelet me pesë yje, këta njerëz nuk do t’i paguanin dot as për pushime.