Pak orë para se grupet e kërkim-shpëtimit në Durrës dhe Thumanë, të mbyllnin operacionet e kokë-ulur të nxirrnin nga rrënojat edhe trupin e Xhuljeta Gjonajt, në kryeqytet strukturohej një skemë vjedhjeje në kurriz të fatkeqësisë.

Janë të paqarta arsyet që “detyruan”, shefin e Rendit në Komisariatin e Rinasit, Altin Zeka, që bashkë me të shoqen dhe kunatin të organizonin dhe realizonin vjedhjen e kutive me ndihma për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pas publikimit të një videoje ku shfaqeshin pamje të përvetësimit të një sasie pakosh ushqimore të destinuara për banorët e prekur nga tërmeti, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi në flagrance dy policët, Altin Zeka dhe E.H, komandant skuadre, dhe kunatin zjarrfikës, Arben Taullau.

Ideatorja e vjedhjes, gruaja e Altin Zekës, kryetarja e forumit të PS në njësinë 3

Dosja.al siguroi informacionet sesi kjo skemë u realizua me ndihmën e  familjes Zeka.  Valbona Zeka, gruaja e Altin Zekës, telefonoi në numrin e një fondacioni shumë të njohur në Tiranë, për të kërkuar ndihma për punonjësit e Policisë në Rinas, të cilëve sipas saj iu ishin dëmtuar shtëpitë… në realitet, siç mësoi Dosja.al, asnjë nga efektivët e këtij komisariati nuk kanë denoncuar dëmtim të banesave.

Fondacioni e besoi kërkesën e Zekës, duke pranuar që t’i jepte pakotë me ndihma, dhe në këtë moment, në lojë hyn burri shef. Fondacioni pranoi pasi ata kishin besuar realisht se burrë e grua kishin marrë përsipër furnizimin me ndihma për policët e prekur nga tërmeti.

‘Hajde se do mbushim furgonin’, kunati zjarrfikës dhe shoferi pjesë e vjedhjes

Të ndihmuar nga kunati i Altin Zekës, Arben Taullau, vëllai i gruas së tij, me detyrë zjarrfikës në Kombinat, ata ngarkuan një furgon të komisariatit në Rinas me pakot që morën në Fondacion dhe nisën aventurën që zgjati vetëm disa orë… Bashkë me ta, ishte edhe komandanti i një skuader në Rinas, E.H., që në këtë skemë luajti  vetëm rolin e shoferit.

Pakot me batanije, biskota, sheqer dhe oriz…për tek shtëpia e vjehrrës

Destinacioni i kutive të mbushura me oriz, sheqer, vaj, miell, biskota, dhe të tjera produkte të shportës bashkë me  batanije të përdorura, nuk ishte Komisariati i Rinasit. Rrugës, grupi ndaloi në zonën e njohur në Tiranë si “Varri i Bomit”, ku në shtëpinë e vjehrrës së Altin Zekës, ishte menduar që të fshiheshin pakotë. Shtetasja Sh.T, mamaja e Valbonës dhe Arbenit, u bë mburoja e pakove të vjedhura nga shefi i Rendit. Ajo që grupi s’kishte menduar, ishte ‘spiuni dixhital’. Në momentin kur ata po shkarkonin kutitë nga furgoni i bardhë, një qytetar rastisi në vendngjarje dhe filmoi gjithçka. Altin Zeka, s’mund të fshihej më…

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat reagoi duke kërkuar dhe zbuluar kutitë që u fshehën tek shtëpia e vjehrrës së Zekës. Procedimi penal ka nisur edhe për gruan e tij, dhe vjehrrën, për veprën penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim.

Babëzi e momentit apo ngjarje e paralajmëruar?!

Është interesante dëshmia që shefi i Rendit në Komisariatin e Rinasit, që ka patur nën “survejim” edhe aeroportin, ku jo më larg se 6 muaj më parë ndodhi grabitja e famshme do të japë para prokurorisë. Edhe më interesant, është fakti që në vitin 2017, në raportin që Ministria e Brendshme teknike e asaj kohe, për zgjedhjet e 2017, listoi Altin Zekën si një nga 32 policët që kishin ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve parlamentare, duke sfiduar autoritetin policor. Natyrisht, që gjetja e raportit siç edhe provohet sot pas 2 vitesh, u shpërfill…

(F.g/dosja.al)