Katër kate të ngritura mbi themele të holla që vetëm duke i parë me sy kupton se nuk mund t’i rezistojnë një goditjeje, ashtu siç fatkeqësisht u faktua nga tërmeti i fortë i së martës në 03:54 kur u shemb totalisht duke zënë nën rrënoja 8 anëtarë të familjes Lala.
Siç shihet në këto foto nga Google Earth të majit 2016, cilësia e ndërtimit është e dobët dhe mjaft e rrezikshme. Siç shihet katet janë shtuar një nga një, ndoshta ndër vite,, siç duket edhe në foton e 3 viteve më parë ku kati i fundit ishte ende në ndërtim. Në këtë vilë jetonin tre vëllezër me familjet e tyre dhe nëna e moshuar. Nga tërmeti shpëtoi vetëm një i ri 17-vjeçar Ramë Lala.
Kolonat e godinës tepër të holla duken krejt të pafuqishme për të mbajtur mbi to katër kate ndërtesë. Në goditjen e parë të tërmetit në orën 03:54 ndërtesa u rrëzua, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën të komunikonin me disa prej anëtarëve nën rrënoja, siç ishte Ramë Lala të cilin e ka shpëtuar një lavatriçe. Struktura metalike e kësaj orendie shtëpiake ka krijuar mjaftë hapësirë sa për t’i mbrojtur trupin dhe kokën 17-vjeçarit, pas shembjes së banesës. Ndërkohë me lëkundjet e tjera sizmike që vijuan në formë pasgoditjesh u rrëzua duke i zhytur edhe një herë nën rrënoja 8 anëtarët e familjes Lala, të cilët nuk mundën të dalin dot gjallë. Trupi i fundit i Ilir Lalës u nxor nga ekipet e shpëtimit në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Vila ku jetonin bashkë familjet e tre vëllezërve u kthye në mort…
Familja me origjinë nga Peshkopia do të përcillet në banesën e fundit në qytetin e Durrësit të premten në orën 11:00.
Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Bashkëshorti i Marjeta Lalës që humbi të katërt fëmijët ishte në Itali, ashtu edhe vëllai tjetër i cili në këtë tragjedi humbi vajzën, Griselda Lalën, 22-vjeç. I vetmi që doli gjallë nga rrënojat ishte Ramë Lala 17 vjeç. Nëna e tij nuk ndodhej në banesë pasi natën e tërmetit ishte tek motra e saj në Tiranë. Video e shpëtimit të Ramë Lalës përcolli mjaft emocion teksa ai u duartrokit nga ekipet e shpëtimit, teksa nëna mallëngjehej nga mrekullia që djali i saj doli i gjallë. Nga familja e 17-vjeçarit nën rrënoja u gjetën të pajetë Marjeta Lala së bashku me tre fëmijët, Emilio Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Enis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç. E ndjera u gjet e përqafuar me të tre fëmijët e saj nën rrënoja të banesës. E pajetë u nxor edhe Amelia Lala 9 vjeçe, e cila është gjetur së bashku me gjyshen, Sahdete Lala.