Inxhinierja Luljeta Bozo ka folur për Fax News lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të 26 Nëntorit ku më pas u shoqërua me qindra lëkundje të tjera më të vogla.
Inxhinierja ka folur për origjinën e tërmeteve, nga çfarë shkaktohen ato, cilat janë pikat më të nxehta të vendit tonë si dhe për mënyrën se si duhen menaxhuar apo rrugët që duhen ndjekur që pasojat e tyre të jenë sa më të vogla.
Bozo tha se tërmetet kurrë sesi nuk mund të parashikohen me datë dhe me orë, por theksoi se ato mund të studiohen për periudhën e përafërt në të cilën mund të ndodhin.
Inxhinierja ka folur edhe për kriteret e ndërtimeve në vend sidomos pas periudhës së vitit ’90, ndërsa ka dhënë edhe disa këshilla që shteti duhet të ndjek për masat që duhet të marrë në planifikimin e zonave urbane dhe ekonomike.
“Tërmeti që ra ishte shumë i fuqishëm, i dyti pas ‘79, por njerëzit nuk duhet të futen në panik, sepse në jemi në periferi të zonës eruo-atlantike që është në buzën e çarjes që ndan pllakën e euro-aziatike me afrikën. Energjia e brendshme formohet si rezultat i reaksioneve bërthamore, ne jemi në buzë të kësaj çarjeje tektonike. Gjithë territori i Shqipërisë ndahet në 3 zona të hartës sizmike, 40% janë me 7 ballë, 40% me 8 ballë dhe 20% me 9 ballë. Fuqia e tërmetit matet me shkallën rihter me energjinë e çliruar në vatër, ndryshe magnitudë. Tërmeti është çlirim energjie por shumë brutal. Nuk duhet të na zërë fare frika se këtu kanë jetuar të parët tanë me mijëra vjet, këtu jetojmë ne dhe do të jetojnë breza të tjerë.
Është një fenomen që ne nuk e komandojmë dot. Mund të parashikohet jo me datë e me orë se kjo është budallallëk por mund të parashikohet nga historiku i këtyre ngjarjeve, se sa kohë duhet të grumbullohet kjo energji dhe kur afërsisht mund të shpërndahet. Përsëritet si rregull njëherë në 35-40 vjet dhe kjo ndodhi fiks 40 vjet pas ‘79. Problemi ynë është që ne këtë as e ndalojmë duke bërë ndonjë gjë duke parashikuar thjeshtë periudhat dhe të dimë se cilat janë zonat që reagojnë dhunshëm dhe cilat janë ato që e moderojnë.
Kemi tre zona të rrezikshme, çarja e parë fillon nga Mali i Zi dhe përfundon në Greqi, brezi i dytë është fillon në Shkup, Dibra e Medhe, Fier dhe Tepelenë. E treta fillon në Liqenin e Ohrit dhe përfundon në Greqi. Njerëzit duhet të dinë se ku jetojnë dhe të mos lëvizin nga ai vend. Të gjitha këto zona kanë Këneta dhe absolutisht nuk mund të ndërtohet në këto zona. Kënata e Durrësit ka qenë e ndaluar për ndërtime, me përjashtim të rastit se mund të ndërtohej maksimumi në dy kate. Kjo është detyrë e qeverisë qëndrore që bën planifikimin se si menaxhohen ekonomitë dhe ndërtimet, kjo bëhet nga planifikuesit ku me hartë duhet përcaktuar se cila zonë mund të zhvilliohet dhe jo pa përgjegjësi.
Ndërtimet që janë bërë në zonën e plazhit në Durrës pres ditëpërditë se kur mund të shemben nga tërmeti. Nga tokë kthehet në llum. Ku shkon ajo nga lëkundja sizmike? Shkatërrohet plotësisht. Me ç’të drejtë ai i vijës së parë ia zë pamjen godinës tjetër pas, plazhi është plazh, fillon me godinat 1 katëshe dhe rreshtet vijuese të ndërtesave të vijnë duke u rritur që të gjithë edhe ta shijojnë bukurinë e detit edhe të jenë më të sigurtë.
Godinat në Thumanë kanë qenë me kontribut vullnetar dhe jepeshin për banim punonjësve që punonin në zonë. Por muraturën e bën ai që është specialist. Nga pamjet konstatova që asnjë rregull për fugat, lidhjet e skajeve të godinave, brezat anti-sizmik, pra nuk mund të ndërtojë kushdo veç specialistëve. Nuk e di a e ka këtë të drejtë shteti të futet në shtëpinë time dhe të më thotë se është e pabanueshme, apo ka të drejtë të më thotë se këtu nuk duhet të jetosh se kjo është e pabanueshme. Këtu del edhe problemi që e kam ngritur disa herë, duhet urgjentisht të mobilizohen ekspertët e duhur e cila do të merret gjithë kohës me rregullimin e projektimit dhe zbatimit të ndërtimit. Para ’90 kishte kushte teknike projektimi, zbatimi, marrja në objekt. Duhet të jetë një grup stabël dhe i përhershëm sipas evolucionit duke u përshtatur, të vërë rregull”, tha Bozo.
(F.GJ/FAXWEB.AL)